Zekthi: Opozita në Kosovë shkon e përçarë në zgjedhjet e 28 dhjetorit

Opozita në Kosovë po hyn e fragmentuar dhe e përçarë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor. Kështu u shpreh politologu Fitim Zekthi në emisionin “3D” në RTSH, duke theksuar se kjo gjendje rrezikon të prodhojë një hartë elektorale të ngjashme me atë aktuale.
Sipas tij, opozita nuk ka arritur të gjejë një mënyrë për të ofruar një qeveri koalicioni pas zgjedhjeve, edhe pse kjo do të ishte e mundur.
“Problemi është që opozita shkon përsëri e fragmentuar dhe e përçarë. Unë do të doja që opozita të kishte gjetur një mënyrë që të mund të ofronte një qeveri koalicioni pas zgjedhjeve. Është e mundur, por ato nuk kanë fuqi ta bëjnë këtë gjë dhe nuk e kuptoj përse dhe vë re që më problematike është LDK-ja. Nuk arrin të reagojë, nuk sillet më si parti që synon ët fitojë zgjedhjet. Partitë që duan të fitojnë zgjedhjet, kur humbin transformohen, ndryshojnë. Partia duhet të bëjë qasje tjetër, një mundësi koalicioni duhej ta kërkonte me çdo kusht, të bënte lëshimet e duhura. PDK-ja mua më ka befasuar, nuk e mendoja që do transformohej kështu, është bërë një parti shumë më e pranueshme. AAK-ja është aty ku ka qenë, parti e vogël. Partitë e vogla mund të rrinë me një kryetar edhe 30 vite, 40 vite, por kur një parti rri me një kryetar, ajo parti nuk do më të fitojë zgjedhjet. Kjo situatë mund të prodhojë një Kosovë si ajo që kemi sot nga pikëpamja e hartës elektorale dhe do të jetë shumë keq për Kosovën”, tha ai.
/rtsh.al/