E Diel, 1 Nëntor 2026

Zelensky e Putin akuza njëri-tjetrit, Moska: Kievi shënjestroi rezidencën e putin. Ukraina: Rusia po minon bisedimet

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, pretendoi se Ukraina ka shënjestruar një nga rezidencat e presidentit rus, Vladimir Putin dhe tha se Moska do të hakmerret si dhe do ta rishqyrtojë qëndrimin e saj në negociatat për t’i dhënë fund luftës.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, reagoi menjëherë duke i konsideruar pretendimet si gënjeshtra. Ai theksoi se Rusia po përpiqet të minojë bisedimet SHBA-Ukrainë për luftën dhe po përgatit terrenin për të kryer sulme, me shumë gjasë ndaj kryeqytetit ukrainas dhe ndërtesave qeveritare.

I pyetur për këto shkëmbime akuzash presidenti amerikan, Donald Trump tha se ishte informuar nga vetë Putini.

“Është një kohë shumë delikate. Është një gjë të jesh ofensivë, është tjetër gjë të sulmosh shtëpinë e tij. Nuk është koha e duhur për të bërë diçka të tillë”, tha Trump.

Ky pretendim i Rusisë erdhi një ditë pasi Zelensky dhe presidenti amerikan, Donald Trump, deklaruan se kishte përparim në takim e në bisedime dhe se marrëveshja ishte më afër se kurrë.

Moska ka sinjalizuar se nuk është e gatshme të bëjë lëshime të mëdha dhe pas veprimit të fundit, kryediplomati rus, Lavrov paralajmëroi hakmarrje pa dhënë detaje konkrete. Përpjekjet për paqe mes dy vendeve kanë ngecur pas akuzave të ndërsjellta dhe qëndrimeve të kundërta për çështjen e territorit.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›