E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zelensky letër Trump: Ukraina po përballet me mungesë raketash

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka dërguar një letër presidentit amerikan Donald Trump dhe anëtarëve të Kongresit amerikan, ku ngre alarmin për mungesën e raketave për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot.

Sipas Zelenskyt, ritmi aktual i furnizimeve përmes programit “Purl” nuk është më i mjaftueshëm për t’iu përgjigjur kërcënimeve në rritje nga Rusia, sidomos pas sulmit të 25 majit ndaj Kievit.

“Në mbrojtjen kundër raketave balistike ne mbështetemi pothuajse tërësisht te Shtetet e Bashkuara. Sistemet Patriot mbeten mbrojtja më efektive kundër raketave balistike ruse”, shkruan presidenti ukrainas në letër.

Ai thekson se shumica e raketave ruse mund të neutralizohen, por paralajmëron se mungesa e municioneve po e vë Ukrainën në një situatë të rrezikshme.

“Për një vend që po lufton për mbijetesën e tij, nuk ka asgjë më të dhimbshme sesa të shohësh bateri Patriot pa raketa të ngarkuara”, shprehet Zelensky.

Presidenti ukrainas kërkon që SHBA-të të lejojnë prodhimin e përbashkët të raketave dhe sistemeve Patriot me aleatët evropianë, nën mbikëqyrjen amerikane, me synimin për të përshpejtuar furnizimet dhe për të forcuar mbrojtjen ajrore të Ukrainës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›