E Diel, 1 Nëntor 2026

Zemra, alarmi i heshtur

Nga Elda Canaj

Shëndeti i zemrës mbetet një nga shqetësimet kryesore në Shqipëri. Sipas INSTAT në vitin 2025 u regjistruan mbi 21 vdekje, ndërsa 52.9 % e tyre u shkaktuan nga sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut. Kjo do të thotë se më shumë se gjysma e vdekjeve në vendin tonë lidhen me sëmundjet kardiovaskulare. Por sa prej tyre rasteve mund të parandalohen. Çfarë ndikimi ka ushqyerja, aktiviteti fizik, stresi dhe mënyra e jetesës. Dhe mbi të gjitha cilat janë ato shenja të cilat nuk duhet të neglizhohen?

“Faktorët e rrezikut për shfaqjen e sëmundjeve kardiovaskulare ndahen në dy kategori. Në faktorët të modifikueshëm dhe të pamodifikueshëm. E pamodifikueshme është pjesa e moshës, që sa më shumë rritet aq më shumë kemi një rrezik të shtuar, si dhe gjinia mashkullore. Faktorët të tjerë, të cilët janë të modifikueshëm, janë sëmundjet e tjera, shkaqe shumë të rëndësishme për shfaqjen e këtyre problemeve siç është hipertensioni që prek një masë të konsiderueshme të popullatës. Gjithashtu janë yndyrnat e larta, kolesteroli. Diabeti ose sëmundja e sheqerit që është një faktor shumë i rëndësishëm për zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare, pa lënë mënjanë dhe trashëgiminë”, thotë Dr. Sh. M. Eva Duraku, mjeke kardiologe.

Nëse hipertensioni, kolesteroli, diabeti dhe obeziteti janë ndër faktorët të cilët ndikojnë në shëndetin kardiovaskular, atëherë ushqyerja bëhet pjesë e rëndësishme e parandalimit. Por sa e rëndësishme është ajo që vendosim në pjatë?

“Është shumë e rëndësishme edhe mënyra se si ne i vendosim vaktet tona në pjatë, se si kompozojmë pjatën tonë. A ka pjata jonë mjaftueshëm fibra? A përmban minerale, vitamina, patjetër proteina dhe, acide yndyrore esenciale? Sa i takon ushqimit, mjafton që të kemi një kompozim të duhur të makronutrientëve, karbohidrateve, proteinave dhe yndyrave të bashkëshoqëruara edhe me fruta dhe perime të sezonit”, thotë dr. Hyrida Basha, dietologe klinike.

Një tjetër faktor i rëndësishëm në shëndetin e zemrës është mënyra se si e përdorim trupin gjatë ditës. Shumë orë ulur, pak lëvizje dhe një jetë sedentare janë bërë pjesë e përditshmërisë së shumë njerëzve.

“Është shumë i rëndësishëm, sidomos nëse ne kemi një jetë sedentare. Shumica e njerëzve punojnë për shumë orë ulur, dhe trupi ka veti që është krijuar të lëvizë. Në qoftë se ne nuk lëvizim, atëherë trupi fillon të ngadalësohet, bie masa muskulare, fillojnë dhimbjet kronike, dhimbja e mesit, dhimbja e qafës dhe humbasim mobilitetin. Prandaj duhet të bëjmë palestër ose aktivitet fizik, që të kemi jetë gjatë sa më të gjatë. Për mendimin tim, mjafton që të bëjmë ecje, të ngjisim shkallët ose të bëjmë ushtrime në shtëpi. Mjafton që të lëvizim. Le të themi të bëjmë rreth 10 mijë hapa në ditë dhe, dy-tre herë në javë, të bëjmë disa ushtrime në shtëpi. Nuk është se duhet patjetër të shkojmë në palestër”, thotë Kevin Voci, trajner crossfit.

Një person mund të jetojë me hipertension, kolesterol të lartë apo një problem tjetër kardiovaskular pa pasur simptoma të qarta. Dhe pikërisht për këtë arsye, sinjalet që jep trupi duhet te merren seriozisht.

“Kur kemi simptoma, dhimbje koke, dhimbje gjoksi, marrje mendsh, mund të kemi një ide diagnostike që shkon shumë mirë për hipertensionin, faktorët që në disa raste nuk jep simptoma, por mund të japë në një pjesë tjetër siç është dhimbja e kokës, mungesa e përqendrimit, fokusi, lodhja e tepërt. Atëherë duhet që këto pacientë duhet patjetër që të diagnostikohen fillimisht. Pastaj simptomat e tjera që është e rëndësishme është kur simptoma mund të ketë avancuar. Pacientët nuk e kanë ditur që e kanë, prandaj janë të panjohur me situatën e tyre dhe sëmundja ka avancuar dhe mund të japë simptomat të tipit, lodhje të menjëhershme, pamundësi për të bërë shkallët, për të bërë aktivitetet e lehta të jetës së përditshme, mund të kenë dhimbje gjoksi nga aktivitetet e lehta”, thotë Dr. Sh. M. Eva Duraku, mjeke kardiologe.

Dieta për zemrën nuk është të heqësh dorë nga ushqimi. Është të mësosh ta ndërtosh pjatën ndryshe.

“Dieta për zemrën nuk është të heqësh dorë nga ushqimi. Është të mësosh ta ndërtosh pjatën ndryshe. Megjithatë shumë fokus do t’i jepja këshillave së larguarit apo eleminuarit, sa më shumë të mundemi të produkteve që janë të gazuara, të paketuara, me konservantë, ngjyrues të sheqerosura. Sa i takon kripës, është 5 gramë në ditë, rreth një lugë e vogël kafeje në ditë me kripë. Por duhet të kuptojmë që kripa nga ana tjetër merret edhe nga ushqimet e tjera, si djathi, buka, apo ushqimet e tjera të cilat kanë kriprat e tyre natyrale. Gjithsesi, kjo është sasia limit ditore dhe asnjëherë ushqime pakripë. E dëgjoj shpesh: “Bëj zero kripë sepse jam në dietë”. Trupi ynë ka nevojë të zëvendësojë elektrolite, të cilat i humbet nëpërmjet djersitjes, urinimit, dehidrimit. Kështu që, patjetër, duhet të kemi një sasi të caktuar kripe”, thotë Dr. Hyrida basha, dietologe klinike.

Aktiviteti fizik është i rëndësishëm për shëndetin e zemrës, por edhe pushimi dhe rikuperimi janë po aq të domosdoshëm.

“Për sa i përket zemrës, shumë njerëz kanë frikë nga intensiteti. Por problemi është se ne jemi të programuar që trupi ynë të përballojë intensitetin. Sigurisht, duhet të jetë intensitet relativ dhe i përshtatur me individin.Ajo që ndodh shpesh është se njerëzit fillojnë shumë shpejt. Bëjnë pesë ditë në javë me intensitet të lartë dhe nuk lënë ditë për rikuperim ose shkarkim. Ajo që do të sugjeroja është të fillojmë njëherë me ecje ose me vrap shumë të lehtë dhe pastaj, gradualisht, të rrisim intensitetin. Kjo është mënyra se si duhet të ndodhë”, thotë trajneri Voci.

Por beteja për një zemër të shëndetshme nuk nis në moshën e rritur. Ajo nis shumë më herët.

“Ne kemi hasur raste në mosha të reja pasi ne shikojmë pacientë 15 vjeç e sipër, por ka dhe fëmijë të moshave më pak se 15 vjeç me probleme sidomos ata të cilët kanë obezitet apo të natyrave të ndryshme. Pas moshës së adoleshencës, kemi hasur raste që kanë pasur probleme dhe me hipertension”, thotë mjekja Duraku.

“Sëmundjet kardiovaskulare mund të prekin edhe fëmijët 12 vjeç, hipertensioni arterial mund të shfaqet edhe te fëmijët rreth moshës 10, 12 deri në 15 vjeç. për shkak të kequshqyerjes, mungesës së aktivitetit fizik dhe konsumit të pijeve energjike në moshë të vogël, po rriten edhe problemet që lidhen me sistemin kardiovaskular dhe jo vetëm”, thotë Dr. Hyrida Basha, dietologe klinike.

Çdo faktor rreziku ndoshta nuk mund të shmanget, por disa prej tyre varen nga mënyra se si ne jetojmë. Dhe ndoshta kujdesi për zemrën nuk duhet të fillojë kur kemi një problem. Duhet të fillojë shumë më herët.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›