Zgjedhja e Avokatit të Popullit, Balla: Nuk do të jetë më peng i opozitës

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha sot se “përpjekjet e shumicës parlamentare tanimë në kufijtë e 3/5 janë që t’i japim Shqipërisë një Avokat Populli edhe në vizionin Shqipëria 2030, anëtare e BE-së”. Në një prononcim për mediat, Balla theksoi se “Avokat Populli do të jetë dikush që përmbush profesionalisht parashikimet që ka kushtetuta dhe ligji për avokatinë, jo anëtar i një partie politike, por një përfaqësues i nderuar i shoqërisë civile me kontribute në jetën sociale të vendit”.
“Nuk mund të jap një parashikim sepse ju e dini që ky proces pikë së pari niste me vetofrimin. I bëj thirrje të gjithë atyre që përmbushin kriteret të aplikojnë dhe pas këtij procesi thirrja tjetër shkon për grupet parlamentare të opozitës në kuvend. Kësaj radhe nuk e kanë më të drejtën ta mbajnë më peng zgjedhjen e Avokatit të Popullit”, theksoi Balla.
Kreu i grupit parlamentar u shpreh se “jemi këtu në këtë situatë 3 vjet me vonesë për zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit për shkak të mungesës së dëshirës nga ana e opozitës për tu bërë pjesë e këtij procesi”.
“Tanimë nuk e kanë as mbajtjen peng të këtij procesi sepse nëse opozita nuk do të dojë të bëhet pjesë jemi të detyruar t’i japim Shqipërisë Avokatin e ri të Popullit”, tha Balla.