E Diel, 1 Nëntor 2026

“Zgjedhja e Nenad Rashiç, shkelje e Kushtetutës”, Lama: Kosova larg themelimit të qeverisë

Nenad Rashiç është zgjedhur nënkryetar i pestë i Kuvendit të Kosovës, pas dështimit të nëntë propozimeve të Listës Serbe dhe kalimit në zgjedhjen e nënkryetarit përmes procedurës së shortit. Albin Kurti duhet të gjejë tani një partner për të krijuar qeverinë, në të kundërt vendi shkon seriozisht në zgjedhje.

Analistja Alma Lama, në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus, me moderatore Melisa Mehmetaj, tha se zgjedhja e Nenad Rashiç është shkelje e Kushtetutës, pasi sipas saj, emri i tij nuk është propozuar nga Lista Serbe.

Ajo u shpreh se shkelja e Kushtetutës që ka ndodhur sot është një nga shkeljet më të rënda, të cilën do ta hedhë poshtë Gjykata Kushtetuese.

Sipas analistes, është zgjatur sërish kriza politike në Kosovë dhe vendi është ende shumë larg themelimit të qeverisë.

INTERVISTA E PLOTË:

Në rrjetet tuaja sociale e keni quajtur antikushtetuese zgjedhjen e Nenad Rashiç në postin e nënkryetarit të Kuvendit, përse ?

Lama: Është shkelja më flagrante e Kushtetutës që ka ndodhur përgjatë këtij procesi të konstituimit të Kuvendit, për arsyen e thjeshtë se z.Rashiç nuk e përfaqëson shumicën e ulësve nga ana e komunitetit serb në Kosovë. Zgjedhja e tij është bërë në shpërputhje me Kushtetutën, por kështu edhe në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ai nuk është propozuar nga Lista Serbe. Po të ishte propozuar nga Lista Serbe, do të ishte mundësia që zgjedhja e tij të ishte legjitime. Mirëpo, është propozuar nga shumica shqiptare, gjë që shënon një precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm për sa i përket mohimit të të drejtave të shumicës serbe, pra të deputetëve serbë, për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre. Ky është një parim kushtetues i sanksionuar në nenet e Kushtetutës. Është parimi i demokracisë. Shumica vlen si për partitë shqiptare, ashtu edhe për ato serbe. Kushtetuta e Kosovës gjithashtu garanton të drejtat e minoriteteve. Jam e bindur që çështja do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese dhe do të hidhet poshtë zgjedhja e z.Rashiç. Duke vazhduar pra kështu dramën e moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe dramën e shkeljes së qëllimshme të Kushtetutës.

Konstituimi i kuvendit do të thotë fundi i krizës politike në Kosovë?

Lama: Edhe po të ishte konstituuar Kuvendi, fundi i krizës politike nuk do të ishte, për shkak se nuk ekzistojnë numrat, një shumicë e thjeshtë parlamentare prej 61 deputetësh, për të krijuar qeverinë. Pra, asnjëra palë deri tani nuk i ka numrat, as Lëvizja Vetëvendosje, as partitë e tjera shqiptare në bashkëpunim me minoritetet. Pra, Lëvizja Vetëvendosje në bashkëpunim me minoritetet, po kështu edhe pala tjetër. Nga njëra anë është Lëvizja Vetëvendosje, nga ana tjetër janë edhe minoritetet, një grup i përçarë. Lista Serbe është e përjashtuar nga çfarëdolloj bashkëpunimi, nga të dy palët, nga opozita dhe nga Lëvizja Vetëvendosje. Kështu që kriza politike do të vazhdonte. Mirëpo, shkelja e Kushtetutës që ka ndodhur sot, që është mohim i të drejtës së komunitetit serb, shumicë e përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës, për t’u përfaqësuar në pozitën e nënkryetarit, është një nga shkeljet më të rënda që do ta hedhë poshtë Gjykata Kushtetuese, jam e bindur. Por, jo vetëm kaq, është një lloj goditje që do të ketë pasoja në arenën ndërkombëtare për Kosovën, një goditje ndaj Marrëveshjes së Ahtisaarit. Marrëveshja e Ahtisaarit i përcakton qartë dhe janë të shkruara në Kushtetutë e zeza mbi të bardhë se kush ka të drejtë të përfaqësohet. Vlen parimi i shumicës edhe për komunitetin serb dhe kjo shkelja e të drejtave, pra që shumica shqiptare t’ia përcaktojë përfaqësuesin pakicës, mendoj që është një nga shkeljet më të rënda që është bërë deri tani.

Albin Kurtit do ti duhet të gjejë nje partner për qeverinë, a besoni se do ia dalë apo skenari i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare është i afërt ?

Lama: Mendoj që me lëvizjen e sotme, ku fatkeqësisht edhe LDK-ja bëri gabimin e votimit të nënkryetarit serb, është zgjatur më tej kriza politike për moskonstituimin e Kuvendit, sepse Lista Serbe do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese. Vetëm sa doli lajmi në lidhje me këtë dhe ai po fiton ende kohë. Sepse Gjykata Kushtetuese merr masa që procesi të mos vazhdojë dhe procesi për gjetjen e kryeministrit apo për themelimin e qeverisë. Kështu që është zgjatur sërish zgjidhja e kësaj krize dhe nuk jemi akoma tek themelimi i qeverisë. Po mos harrojmë se e gjitha kjo bëhet për shkak se z.Kurti nuk i ka numrat për të krijuar qeverinë. Ai po e merr në mënyrë të paligjshme mandatin e kryeministrit. Gjykata Supreme ka vendosur që ministrat të cilët janë deputetë dhe Kryeministri i ushtrojnë ato pozita në mënyrë të paligjshme. Kështu që është një kaos total për sa i përket kushtetueshmërisë do të thoja unë, dhe kjo po e zbeh besimin në institucione. Por, sigurisht që ka pasur edhe pasoja për sa i përket raporteve me SHBA-në. Mos harrojmë që është pezulluar dialogu strategjik pikërisht për shkak të kësaj.

Qytetarët e Kosovës votojnë të dielën për të zgjedhur kryetarët e komunave. Sa do të ndikojë në elektoratin e Vetëvendosjes kriza e tejzgjatur politike dhe përplasjet e Albin Kurtit me Perëndimin sidomos me Amerikën?

Lama: Mbetet të shihet nga rezultati që do të prodhojnë zgjedhjet. Ai do të jetë testi më i mirë, ose rezultati më i mirë, për të parë se si kanë ndikuar edhe këto probleme, edhe pse këto janë zgjedhje locale. Kam përshtypjen që dhe partitë politike, të cilat si duket janë pajtuar të gjithë se tashmë kjo krizë zgjidhet vetëm me zgjedhje të reja, pra për qeverinë, për zgjedhjet e përgjithshme e kam fjalën, po presin rezultatin e zgjedhjeve lokale që janë të dielën, ku do të shihet qartë se ku qëndrojnë subjektet politike. Pastaj do të ridimensionohen ose rikalkulohen interesat. Kush ka shkuar poshtë? Ka të dhëna që Lëvizja Vetëvendosje ka humbur pra në elektoratin e saj, por vetëm rezultatet mund ta përcaktojnë se si pastaj do të zhvillohen ngjarjet. Prandaj, edhe votimi i sotëm në Kuvendin e Kosovës ka qenë për të fituar kohë, sepse nuk kanë pasur mundësi tjetër Lëvizja Vetëvendosje, përveç se për të bërë një veprim të paligjshëm në kundërshtim me Kushtetutën, për ta shtyrë afatin deri pas zgjedhjeve të datës 12 Tetorit. Pra, e gjitha sot kjo është lojë politike, është taktikë politike për të pritur rezultatin e zgjedhjeve të 12 tetorit, zgjedhjeve lokale. Kështu që kaosi dhe drama politike vazhdon. Zgjedhjet lokale pastaj mund të ndikojnë, sepse këtu zhvillohet edhe balotazhi në qoftë se asnjë nga kryetarët e komunave nuk i merr 50% plus  1% në zgjedhje. Ato kalojnë në balotazh, pra në një votim të dytë, dhe aty mund të ketë pastaj edhe koalicione ndërmjet subjekteve të ndryshme politike në komuna të ndryshme, gjë që mund të çojë në zbutjen e krizës politike, në aleanca të reja e të tjera, që më pas mund të përgatisin atmosferën për zgjedhje të tjera të përgjithshme dhe për një bashkëpunim në të ardhmen. Por, një gjë duhet thënë, pa konsensus politik Kosova nuk mund të funksionojë si shtet. Institucionet nuk mund të ndërtohen pa konsensus politik ndërmjet subjekteve politike dhe pa respektimin e Marrëveshjes së Ahtisaarit dhe të Kushtetutës së Kosovës në raport me pakicën.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›