Zgjedhja e Presidentit të Kosovës, Kasapolli: Pa 2 kandidatë dhe 30 nënshkrime, s’mund të nisë procesi. Duhen minimumi 80 vota në dy raundet e para

Kosova ndodhet vetëm pak orë larg nisjes së procesit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të ri, ndërsa situata politike mbetet e paqartë. I ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, studiuesi i politikës Gëzim Kasapolli theksoi se vendi po hyn në një fazë vendimtare, por pa sinjale të qarta serioziteti nga subjektet politike.
Sipas tij, Kushtetuta e Kosovës parashikon gjithsej tre raunde votimi për zgjedhjen e Presidentit. Në dy raundet e para kërkohet shumicë e cilësuar prej dy të tretave të deputetëve, përkatësisht 80 vota. Nëse këto raunde dështojnë, procesi kalon në raundin e tretë, ku nevojiten 61 vota, pra shumicë e thjeshtë.
“Së pari a do fillojë? Se ky është problemi, pastaj janë 3 raunde gjithsej. Në dy raundet e para kërkohet një shumicë nga 2/3 e parlamentit të Kosovës që përbën 80 deputetë që duhet të japin votën për presidentin e ardhshëm
Në rast të mos përmbushjes së këtyre dy raundeve, atëherë hyjmë në raundin e tretë që duhet një shumicë e thjeshtë prej 60 votash. Këto 24 orë janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës”, u shpreh Kasapolli, duke shtuar se mungesa e seriozitetit nga partitë politike po shkakton shqetësim në opinionin publik.
Ai sqaroi gjithashtu procedurat që duhet të ndiqen për hapjen e seancës parlamentare. Kasapolli theksoi se, sipas Kushtetutës, duhet të ketë minimumi dy kandidatë për postin e Presidentit dhe secili prej tyre duhet të sigurojë të paktën 30 nënshkrime nga deputetët. Vetëm pas dorëzimit të këtyre nënshkrimeve në Kryesinë e Kuvendit, mund të thirret seanca për zgjedhjen e Presidentit.
“Ka një obligim që duhet të përfundohet nga kandidati i propozuar apo subjektet politike apo që është në gjendje të sigurojë 30 nënshkrime, në mënyrë që t’i tregojë dhe kryesisë së Kuvendit që mund të kandidojë për president.
Kushtetuta e përcakton që duhet të ketë minimumi 2 kandidatë.
Secili prej tyre duhet të dorëzojë 30 nënshkrime në kryesinë e Kuvendit që më pas Kryesia të bëjë thirrjen e seancës për zgjedhjen e presidentit. Asnjë prej këtyre procedurave nuk ka filluar”, tha Kasapolli.
Deri tani, sipas tij, asnjë nga këto procedura nuk ka nisur, duke e lënë procesin në një pikë të paqartë në prag të afatit kushtetues.
/rtsh.al/