E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zgjedhjet e pjesshme dekretohen për në 9 Nëntor, PD akuzon Begajn për “puç kushtetues”

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, dekretoi sot zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme për kryetar bashkie në gjashtë bashki, përfshirë Tiranën, për në datën 9 Nëntor 2025. Ky vendim ka shkaktuar një reagim të ashpër nga opozita. Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, e cilësoi aktin si një “puç kushtetues”.

“Asnjë surprizë nga Bajram Begaj! Ashtu siç kishim paralajmëruar, Bajram Begaj nuk është President i shqiptarëve, por një robot që komandohet nga Edi Rama,” deklaroi Bardhi.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së theksoi se me këtë vendim, Presidenti ka kryer një “puç kushtetues” duke rrënuar autoritetin e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas Bardhit, juridiksionin e shqyrtimit të një mandati kushtetues nuk e cakton qeveria, por Kushtetuta e Republikës, duke nënkuptuar se shkarkimi duhej t’i ishte nënshtruar kontrollit kushtetues.

“Një mandat kushtetues nuk mund të ndërpritet veçse për shkaqet e parashikuara shprehimisht në Kushtetutë,” nënvizoi Bardhi, duke e mbyllur reagimin me akuzën se “askush në 35 vjet demokraci nuk e ka dëmtuar kaq shumë reputacionin e Kreut të Shtetit”.

Me daljen e këtij dekreti, zgjedhjet e pjesshme tashmë janë futur zyrtarisht në kalendar, ndërkohë që debati ligjor dhe politik mbi procedurat e shkarkimit të kryetarit të Bashkisë Tiranë pritet të vazhdojë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›