Zgjedhjet në PS, Gogu: Porta për diasporën mbetet e hapur, korrupsioni ende një plagë

Partia Socialiste nisi të premten zgjedhjet e brendshme për delegatët dhe bashkëkryetarët e rinj.
I ftuar në RTSH 24, nënkryetari i grupit socialist, Toni Gogu, tha se anëtarët do të munden të ushtrojnë të drejtën themelore të votës për të balancuar strukturën organizative me një përfaqësim më të drejtë gjinor.
“Ndryshe nga partitë e tjera politike, njësitë tona drejtohen nga bashkëkryetarët, një zonjë dhe një zotëri. Ne besojmë se barazia gjinore është një nga komponentët e ADN-së së Partisë Socialiste. Për këtë arsye sigurojmë edhe këtë përfaqësi zonjash qoftë në parlament, qoftë në qeveri, sepse është një pjesë e shoqërisë shqiptare që duhet të japë kontributin e vet,” u shpreh z. Gogu.
Zgjedhjet partiake vijnë krahas turit të shpallur nga kryesocialisti Edi Rama për të afruar në radhët e partisë votues të mundshëm nga diaspora. Një takim i tillë është parashikuar për fundjavë.
“Porta hyrëse e PS nuk është mbyllur asnjëherë jo vetëm për socialistët dhe shqiptarët që jetojnë brenda Shqipërisë, por edhe jashtë. Ndaj shërben edhe turi i kryeministrit në Athinë, i cili fillon të dielën dhe do të vazhdojë disa fundjava të tjera. Qëllimi është njohja e tyre me vizionin e Shqipërisë 2030.
Synimi afatgjatë i PS që kur erdhi në pushtet në vitin 2013 është transformimi i shoqërisë shqiptare. Ne u ballafaquam me një nga plagët e rënda të shoqërisë, që është pandëshkueshmëria. Ndërsa ndër synimet afatshkurtra janë zgjedhjet lokale, me të cilat PS ka sjellë një alternativë, për t’i lënë vendin edhe zgjedhjeve qendrore vitin tjetër,” deklaroi z. Gogu.
Ndërsa mbetet për t’u përmbushur ligjërisht aksesi i diasporës për të votuar, deputeti socialist tha se ka besim që do të realizohet.
“Jemi duke e diskutuar me grupin e Dialogut. PS patjetër ka një propozim të vetin, por do të duhet të marrë shumicën e cilësuar të votave për ta realizuar. Të gjithë bashkëkombasit që jetojnë jashtë mund të regjistrohen në regjistrin ku mbahet adresa e tyre e fundit në Shqipëri dhe ajo aktuale, që të korrespondojë vota në Komisionin Qendror të Votimit, sepse në fund të ditës është komisioneri qendror i zgjedhjeve që do të vendosë si do të zbatohet atë rregullim për të cilin ne do të biem dakord,” tha nënkryetari i grupit të PS.
Me gazetaren Matilda Mcini, z. Gogu komentoi edhe projektrezolutën e prezantuar nga kryeministri Rama për një komision të posaçëm antikorrupsion, i cili “i shpall luftë korrupsionit edhe brenda radhëve tona”.
“Nuk janë as 30, as 50, por 100 vjet që në shtetbërjen tonë ne kemi vuajtur nga pandëshkueshmëria. Në momentin që drejtësia të thërret, pavarësisht pozicionit që ke pasur, ti shkon dhe sqarohesh me një proces të rregullt gjyqësor. Kjo nuk ishte parë më parë. Së dyti, është korrupsioni, pra ajo kulturë transaksionale që edhe z. Rama e përmendi, nga koha otomane, komuniste apo ajo tribale këto vitet e fundit. Korrupsioni nuk ka të bëjë vetëm me pushtetin shtetëror, por me çdo lloj pushteti. Reforma në drejtësi po jep rezultate, por na duhet një nismë e gjithanshme, e cila nuk i mbivendoset gjyqësorit. Ndëshkimi që bëjnë strukturat e posaçme kundër korrupsioni do të vazhdojë me klasën politike. Por struktura e re do të burojë nga të gjitha forcat politike dhe aleatët tanë, sepse ne jemi republikë parlamentare. Rezoluta e shpreh qartë se nuk preket korniza kushtetuese, as ligjet organike të institucioneve të pavarura, por bëhet një koordinim i gjithanshëm që detyra e shtetit kundër korrupsionit të merret seriozisht,” deklaroi z. Gogu.
/rtsh.al/