Zgjedhjet në Serbi, nën hetim kreu i shërbimit sekret dhe ministri i Drejtësisë! Punonjësit e shtetit detyroheshin të mblidhnin vota për partinë e Vuçiçit

Një skemë e dyshuar për mbledhjen e votave në favor të partisë së presidentit Aleksandar Vuçiç ka vënë në lëvizje Prokurorinë për Krimin e Organizuar në Serbi.
Në qendër të çështjes janë kreu i shërbimit sekret serb, Vladimir Orliq, ministri i Drejtësisë, Nenad Vujiq, dhe dhjetëra zyrtarë të tjerë, të kallëzuar për dyshime se kanë përdorur punonjësit e shtetit dhe institucionet publike për të siguruar vota për Partinë Progresive Serbe (SNS).
Gjithçka ka nisur pas dy kallëzimeve penale të avokatit serb Ivan Niniq, i cili pretendon se punonjësit e shërbimit sekret dhe ata të burgjeve detyroheshin të punonin për partinë në pushtet.


Sipas tij, punonjësve të shërbimit sekret në qytetin e Kragujevcit u ishte kërkuar që, përveç detyrave të tyre të zakonshme, të gjenin qytetarë që do të votonin për SNS-në. Emrat e këtyre personave duhej të regjistroheshin në formularë të partisë, ndërsa mbledhja e votave konsiderohej detyrim pune.
Por dyshimet nuk ndalen te shërbimi sekret. Një tjetër kallëzim, ku përfshihen ministri i Drejtësisë, drejtori i administratës së burgjeve, këshilltarja e ministrit dhe 60 persona të tjerë, ngre dyshime se edhe burgjet janë përdorur për të siguruar vota për partinë e Vuçiçit.
Sipas televizionit serb N1, drejtuesit e 29 burgjeve ishin pjesë e një grupi në Viber, të quajtur “Shtabi”, ku merrnin udhëzime se si të siguronin votat. Mesazhet dyshohet se dërgoheshin nga Milica Radonjiq, këshilltarja e ministrit të Drejtësisë.
“Hajde, përqendrohuni maksimalisht te nxjerrja e votuesve të siguruar! Shifrat nuk janë të mira, duhet ta shtojmë seriozisht angazhimin”, thuhet në një prej mesazheve të publikuara nga N1, autenticiteti i të cilave nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.
Në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, nga 6.267 të burgosur që votuan, 4.111 ia dhanë votën SNS-së, ose rreth 66%, sipas shifrave të raportuara nga N1.
Avokati Niniq pretendon se ka dorëzuar një dosje me 238 faqe, ku përfshihen mesazhe dhe fotografi që, sipas tij, tregojnë se si organizohej mbledhja e votave. Ai akuzon gjithashtu drejtuesit e burgjeve se kanë përdorur makinat shtetërore për të çuar punonjës në mitingjet e SNS-së dhe për të mobilizuar votues në ditën e zgjedhjeve.
Pas kallëzimeve, më 4 nëntor, Prokuroria për Krimin e Organizuar i kërkoi policisë të kontrollojë pretendimet, të mbledhë prova dhe të marrë informacione nga personat e përmendur në dosje.
Për momentin, bëhet fjalë për verifikime paraprake dhe jo për akuza të ngritura zyrtarisht