E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet pezull, Çakaj zbulon kur do të zhvillohet gara për Tiranën

Gjykata Kushtetuese pezulloi dekretin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, për zhvillimin e zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës në datën 9 nëntor. Me 8 vota pro dhe asnjë kundër, gjyqtarët vendosën si masë sigurie pezullimin e dekretit të kreut të shtetit për zgjedhjet në Tiranë.

Anëtari i Komisionit Rregullator, Muharrem Çakaj, tha se zgjedhjet për kryetar të Bashkisë së Tiranës nuk do të vijojnë të ekzekutohen deri kur Gjykata Kushtetuese të marrë në shqyrtim kërkesën për shkarkimin e zotit Veliaj.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus, me moderator Roland Zilin, Çakaj deklaroi se është absolutisht e pamundur që zgjedhjet e parakohshme për Tiranën të mbahen në datën 9 nëntor.

Sa i përket pyetjes së moderatorit nëse mund të kemi dy palë zgjedhje në vend, anëtari i Komisionit Rregullator tha se nga ana ligjore nuk ka asnjë pengesë.

Sipas tij, gara për 5 bashkitë mund të zhvillohet në 9 nëntor, ndërsa për Tiranën në dhjetor ose janar.

INTERVISTA E PLOTË:

 A mund ta thoni se çfarë ndodh tani pas dekretit të Presidentit me procesin zgjedhor që ju po përgatisnit?

Çakaj: Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka vendosur ditën e sotme të pezullojë dekretin numër 350, të datës 1 tetor të vitit 2025 të Presidentit të Republikës për dekretimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme në gjashtë bashki të vendit, përfshirë edhe Tiranën, automatikisht pezullohet pjesa e dekretit për sa i përket dekretimit të zgjedhjeve vetëm për bashkinë Tiranë. Dhe automatikisht, procesi zgjedhor për bashkinë Tiranë, për zgjedhjet për kryetarë të Bashkisë së Tiranës nuk do të vijojë të ekzekutohet deri kur Gjykata Kushtetuese do marri në shqyrtim kërkesën për shkarkimin e zotit Veliaj.

Nëse Kushtetuesja e quan antikushtetues shkarkimin e zotit Veliaj, si procedohet?

Çakaj: Në një situatë vendimmarrjeje të mundshme, ose si ta gjykojë Gjykata Kushtetuese që vendimi i Këshillit të Ministrave do të konsiderohet i ligjshëm: Së pari do të verifikohet momenti se kur do të merret kjo vendimmarrje nga Gjykata Kushtetuese. Në informacionin paraprak, bëhet me dije se seanca plenare e Gjykatës Kushtetuese do të zhvillohet në datën 31 tetor, që do të thotë, vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese do të jetë pas kësaj date, pra mbas datës 31 tetor e në vijim. Sa kohë do t’i duhet Gjykatës Kushtetuese për të bërë këtë vendimmarrje. Edhe në hipotezën se vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të jetë pro vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e Erjon Veliajt, është pak, por e sigurt, që zgjedhjet e parakohshme për bashkinë Tiranë nuk do të mbahen në datën 9 nëntor të vitit 2025, pasi praktikisht është e pamundur, qoftë edhe nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të përgatisë gjithë infrastrukturën. Përpos kësaj, besoj se, në varësi të vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese, do duhet që, në hipotezën se Gjykata Kushtetuese do ta konsiderojë antikushtetues vendimin e Këshillit të Ministrave, atëherë nuk ka më fuqi, s’ka zgjedhje në Tiranë.

 Ju thatë se do kemi zgjedhje në një datë tjetër përveç datës nëntë, sepse është praktikisht e pamundur. A mund të bëhen dy palë zgjedhje? Pra, në datën nëntë kemi zgjedhjet në pesë bashki dhe, në një datë tjetër përtej datës nëntë, zgjedhjet në bashkinë e Tiranës, potencialisht?

Çakaj: Nuk ka asnjë pengesë ligjore, sepse bëhet fjalë për zgjedhje të parakohshme. Sigurisht, Bashkia Tiranë nuk bën pjesë në rangun e atyre bashkive të cilat kanë kushte të vështira të motit dhe efektive për zhvillimin e zgjedhjeve. Nuk ka asnjë lloj pengese, si nga Kodi Zgjedhor ashtu dhe nga situata faktike e Bashkisë Tiranë, për të zhvilluar zgjedhjet qoftë në muajin dhjetor apo janar, kur ta shikojë të arsyeshme organi i ngarkuar me ligj.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›