Zgjidhen ekspertët në Komisionin e Reformës Zgjedhore, në fokus financimi i partive politike

TIRANË,13 shkurt /ATSH/ Sot në Kuvendin e Shqipërisë rifilloi puna në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore.
Bashkëkryetari i komisionit, deputeti socialist Damian Gjiknuri bëri të ditur se në fokus të mbledhjes ishin emërimi i ekspertëve të komisionit, tre nga mazhoranca dhe tre nga opozita; hartimi i draftit të parë për financimin e partive politike dhe organizimi i një tryeze konsultimi me partitë politike dhe organizatat e shoqërisë civile.
Gjiknuri theksoi se ekspertët e komisionit do të merren me draftimin e të gjithë projektligjeve të nevojshme, të cilat më pas do të depozitohen në Parlament. Financimi i partive politike jashtë fushatës zgjedhore do të jetë prioriteti i parë i punës së tyre, me synim hartimin e një ligji transparent dhe llogaridhënës.
Sipas tij, tryeza konsultuese do të organizohet brenda dy javëve, duke garantuar që zëri i partive dhe organizatave të shoqërisë civile të dëgjohet dhe çdo rekomandim të merret parasysh.
“Zëri i tyre do të dëgjohet dhe çdo propozim apo rekomandim i tyre është i vlefshëm”, tha Gjiknuri, teksa vuri në dukje se, “synimi i komisionit është që deri në korrik 2026 të përgatitet një draft i dakordësuar i Reformës Zgjedhore për miratim në Parlament”.
/e.xh/r.e/a.f/