E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhupa: Fermerët e Delvinës përballen me zjarre, përmbytje dhe keqmenaxhim shtetëror

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa deklaroi sot se zonat e Delvinës, që gjatë verës u përfshinë nga zjarret dhe tani janë përmbytur, vuajnë nga mungesa e gatishmërisë dhe mbështetjes nga shteti.

Në fjalën e saj në seancën plenare të Kuvendit, Zhupa ngriti akuza për keqmenaxhim dhe korrupsion, duke sjellë shembullin e rrëzimit të urës së Metoqit, ndërtuar vetëm 3 vjet më parë, si rezultat i investimeve joefektive.

Ajo tha se këto fatkeqësi natyrore janë edhe fatkeqësi politike, duke u shndërruar në pasoja të drejtpërdrejta për banorët dhe fermerët e zonës.

Deputetja gjithashtu vuri në dukje mungesën e kontrollit të tregut nga institucionet.

Zhupa tha se AKU deklaroi se janë 700 tonë mandarina të kontaminuara me pesticide, por sipas saj nuk flet me emra konkretë se kush i tregtoi këto mandarina. Kjo mungesë qartësie, sipas saj, dëmton jo vetëm konsumatorin, por edhe fermerin e ndershëm.

“Ky është dëm i jashtëzakonshëm që bën papërgjegjshmëria e institucioneve shqiptare. Institucionet duhet të dalin me emra, duhet të marrin masa dhe t’i kapin në kohë, edhe për të mbrojtur konsumatorin dhe fermerin e ndershëm”, deklaroi ajo.

Zhupa theksoi se banorët e Delvinës ende nuk kanë marrë dëmshpërblimet nga zjarret e verës.

“Imagjino, kur do të marrin dëmshpërblimin për përmbytjet. Këtu mbivendosen ngjarjet dhe vetëm një gjë nuk kanë kurrë, vëmendjen dhe paratë e shtetit”, tha ajo.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›