E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhupa: Gjykata Administrative i rikthen mandatin e këshilltares demokrate, PD mbron votën e qytetarëve

TIRANË, 28 maj /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, tha sot se Gjykata Administrative në Lushnjë ka vendosur rikthimin e mandatit të këshilltares bashkiake të Sarandës, Edlira Gjidede, pas një beteje ligjore që nisi në tetor të vitit 2024.

Sipas Zhupës, Këshilli Bashkiak i Sarandës vendosi në mënyrë të padrejtë t’i hiqte mandatin këshilltares demokrate, me argumentin se ajo ushtronte detyrën e edukatores në kopshtet e qytetit, paralelisht me funksionin si këshilltare bashkiake.

Deputetja demokratike deklaroi se çështja u dërgua fillimisht në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve dhe në ILDKPI, institucione që, sipas saj, konfirmuan me shkresa zyrtare se nuk kishte papajtueshmëri mandati apo konflikt interesi.

Ajo theksoi se, së bashku me avokatin Marash Logu, ndoqën rrugën ligjore në Gjykatën Administrative të Lushnjës, ku arritën të fitojnë çështjen dhe të rikthejnë mandatin e këshilltares.

“Mirëpo patronazhistët në Këshillin Bashkiak të Sarandës nuk pyetën për shkresa shtetërore dhe prapë se prapë ia hoqën mandatin. Ne u detyruam të vinim të bënim një betejë ligjore në Gjykatën Administrative në Lushnjë. Bashkë me avokatin Marash Logu, kemi bërë këtë betejë dhe sot kemi arritur që të fitojmë mbrapsht mandatin e qytetarëve të Sarandës”, tha Zhupa.

Zhupa e cilësoi këtë si një fitore për mbrojtjen e votës së qytetarëve të Sarandës dhe deklaroi se Edlira Gjidede do të marrë pjesë në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak për të vijuar përfaqësimin e qytetarëve.

“Kjo është një betejë që u bë për të mbrojtur votën e qytetarëve. Është një betejë që u bë për të treguar që Partia Demokratike nuk tërhiqet, Partia Demokratike i shkon deri në fund kauzave të saj. Unë si deputete dhe si drejtuese politike e Sarandës jam krenare që Edlira do të marrë pjesë në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak Sarandë, do të shkojë atje për të përfaqësuar interesat e qytetarëve, duke kthyer mbrapsht atë mandat që donin t’ia rrëmbenin patronazhistët, por që nuk ia dolën dhe nuk do t’ia dalin kurrë”, tha ajo.

Zhupa theksoi se PD do të qendrojë gjithmonë në krah të qytetarëve dhe se do të mbrojë votën e tyre deri në fund.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›