Zhvillohet mbledhja e Task-Force për reformën në shëndetësi
-Kryeministri vlerësoi luftën kundër korrupsionit si kushtin e të gjitha kushteve për suksesin e reformave, vlerësoi punën e bërë në hartimin e udhërrëfyesve dhe të protokolleve të praktikës klinike, çka do të mundësojë finalizimin e kostifikimit në shërbimet shëndetësore
Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, u zhvillua mbledhja e radhës së Task Forcës për reformën në shëndetësi.
Duke theksuar se kjo është reforma më e vështirë por, më e rëndësishmja ndër të gjitha reformat, kryeministri përgëzoi punën e madhe që është bërë si dhe rezultatet që janë arritur, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit.
Kryeministri e vlerësoi luftën kundër korrupsionit si kushtin e të gjitha kushteve për suksesin e reformave, e se nuk ka rrugë më të sigurt për të kapur standardet e duhura sesa lufta kundër korrupsionit.
Më tej Kryeministri përgëzoi të gjithë drejtuesit e shërbimeve, departamenteve, mjekët, infermierët e aktorë të tjerë të përfshirë në proces, për punën e shkëlqyer që kanë bërë gjatë vitit në hartimin e udhërrëfyesve dhe të protokolleve të praktikës klinike, çka përbën një arritje të madhe, që do të mundësojë finalizimin sa më shpejt të kostifikimit në shërbimet shëndetësore, si një nga kushtet themelore kjo për të përmirësuar në vazhdimësi cilësinë e shërbimit dhe për të përdorur në mënyrën më efiçente burimet e disponueshme financiare.
Kryeministri tha ndër të tjera se përkushtimi i dëshmuar në realizmin e hartimit të udhërrëfyesit dhe protokolleve, tani kërkon të gjithë përkushtimin e ekipeve mjekësore për zbatimin e tyre.
Kryeministri ndaloi dhe në një tjetër moment shumë të rëndësishme, në projekt ligjin për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor që u miratua këtë javë në mbledhjen e qeverisë, i cili garanton vendosjen e skemës së sigurimit të detyrueshëm shëndetësor e mundëson ndër të tjera hapjen gjerësisht drejt sektorit privat.
Kryeministri theksoi se ky ligj është zgjidhja më e mirë, pasi nuk rrit taksën për qytetarët e siguruar, zgjidhje e cila e detyron qeverinë që të ndihmojë kategori të caktuara, të cilat do të kenë të garantuar kujdesin shëndetësor.
Më gjerësisht në fjalën e tij, kryeministri u shpreh:
Duke iu uruar ju dhe të gjithë punonjësve te shëndetësisë një vit shumë të mbarë, thirra mbledhjen e Task Forcë për të analizuar hapat e hedhura në reformën e shëndetësisë, e cila është reforma më e vështirë , por më e rëndësishme, sepse asgjë nuk ka më të rëndësishme se shëndeti dhe asgjë më përcaktuese në drejtim të ruajtjes, mbrojtjes zhvillimit, trajtimit të problematikës shëndetësore, nuk ka sesa reforma.
Unë dua të përgëzoj punën e madhe që është bërë. Rezultatet e arritura në luftën kundër korrupsionit. Luftën kundër korrupsionit e konsideroj kushtin e të gjitha kushteve për suksesin e reformave. Kjo jo vetëm në shëndetësi , por në çdo fushë. Në qoftë se ne duam të kemi sukses , duhet të luftojmë korrupsionin.
Ju dëgjoni që Shqipëria është 27 % më lart se vendet e tjera të OECD për regjistrimin e biznesit. Është sepse është luftuar korrupsioni me ato procedura. Gjithçka digjitalizohet dhe shkon jashtë sistemit të korrupsionit. Ne duhet të kemi të qartë se për të kapur standardet, nuk ka rrugë më të sigurt sesa lufta kundër korrupsionit.
Disa studime nga më seriozet të besueshme dëshmojnë një rënie te ndjeshme të tij gjatë vitit që shkoi. Por sërish unë kërkoj nga ju që ta vendosim mbi çdo gjë këtë kriter, si kriterin themelor.
Unë dua të përgëzoj të gjithë drejtuesit e shërbimeve, departamenteve, mjekët, infermierët e aktorë të tjerë të përfshirë në proces për këtë punë të shkëlqyer që kanë bëra gjatë vitit që kaloi, për hartimin e udhërrëfyesve dhe protokolleve të praktikës klinike. Kjo përbën një arritje të madhe, themelore e cila do të mundësojë finalizimin sa më shpejt të kostifikimit të çdo procedure, të çdo vizite, të çdo medikamenti, të çdo ndërhyrje , si kusht bazë për të rritur në mënyrë të pandërprerë cilësinë e shërbimit, si kusht i të gjitha kushteve për të përdorur në mënyrën më efiçente, burimet e disponueshme financiare. Si kusht mbi të gjitha kushteve për të përcaktuar objektivat zhvillimorë të fushave të caktuara. Unë mendoj se ajo që nuk është realizuar në vite, u realizua gjatë viti të kaluar dhe për këtë meritojnë falënderime dhe vlerësimin më të madh të gjithë ekipet, të cilët me përgjegjësi të lartë arritën në këto dokumente bazë.
Ne duhet të jemi të vendosur të fillojmë aplikimin edhe në rast se jo çdo gjë e kemi të përgatitur ne duhet të bëjmë provën me kostifikimin. Duhet të bëjmë që çdo faturë e kostifikuar t’i shkojë institutit. Faturat, kostot e çdo analize e çdo medikamenti dhe cdo procedure, t’i dërgohet institutit të sigurimeve të kujdesit shëndetësor. Kjo nuk është një praktikë e thjeshtë, që duhet ta instalojmë sepse është themelore.
Puna e madhe, përkushtimi që ju dëshmuat në realizmin e hartimit të udhërrëfyesit dhe të protokolleve të praktikës klinike tani kërkon të gjithë përkushtimin e ekipeve mjekësore në zbatimin e tyre.
Le të fillojmë zbatimin e tyre. Jam I bindur që do të ketë mangësira, do të ketë pasaktësi, përndryshe ne nuk përsosemi, nuk korrigjohemi.
Dje në qeveri ne miratuam projektligjin e sigurimeve shëndetësore. Ky ligj u hartua me ndihmën e BB dhe u bënë diskutime të gjera. Ky ligj përveçse garanton vendosjen e skemës së sigurimit të detyrueshëm shëndetësor hapet gjerësisht drejt sektorit privat, pra ka meritën tjetër që autorizon institucionet shëndetësore publike, ministrinë të blejnë shërbime dhe nga sektori privat dhe unë e konsideroj se ky është një hap shumë i rëndësishëm.
Rëndësi të madhe ka fakti që projektligji për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor kaloi. Mori fund një debat i gjerë 4 vjeçar. Ka patur shumë ide nga më kontradiktoret për vendosjen e këtij sistemi, por është bërë zgjidhja më e mirë, më realiste, zgjidhje e cila nuk rrit taksën për qytetarët e siguruar, zgjidhje e cila e detyron qeverinë të paguajë për ata që nuk kanë mundësi të paguajnë. Janë kategori të cilat do të ndihmohen dhe do të kenë të garantuar kujdesin shëndetësor
08/01/2011