E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhvlerësimi i vazhdueshëm i euros, shqetësim për sektorin e bimëve mjekësore: Ul të ardhurat

Në fshatin Shëngjergj të Korçës u zhvillua një takim mes fermerëve, grumbulluesve dhe eksportuesve të bimëve medicinale, ku u diskutua mbi ecurinë e sektorit dhe sfidat me të cilat përballen kultivuesit. Qarku i Korçës ka rreth 200 hektarë të mbjella me bimë medicinale, ndërsa përfaqësuesit e sektorit deklaruan se prodhimi i këtij viti ka treg të siguruar në eksport.

“Korça, por sidomos Shengjergji, është kthyer në destinacionin e dytë më të rëndësishëm, pas Koplikut, për sasinë dhe larmishmërinë e bimëve mjekësore. Fermerët, pak a shumë, kanë qenë të kënaqur, por nëse ne arrijmë të rrisim cilësinë dhe të kemi më shumë kujdes sa i përket përdorimit pa kriter të pesticideve, do të arrijmë të kemi rezultate edhe më të mira. Kështu, edhe ata njerëz që kanë plan t’i braktisin këto kultura do të kthehen përsëri te puna me to”, tha Filip Gjoka, Kryetar i Shoqatës së Industrisë së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike.

Fermerët ngritën si shqetësim zhvlerësimin e euros, që sipas tyre ka ulur të ardhurat nga eksporti, gjatë viteve të fundit.

“Dëmet kanë qenë shumë të mëdha, kolosale, ku i bie që në këto tre vitet e fundit kanë arritur në 30-35%. Pra, ka pasur një zhvlerësim të euros, por edhe të dollarit, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në çmime më të ulëta për fermerët dhe në rritjen e kostove, sepse të gjitha kostot janë në lekë, ndërsa shitjet janë në dollarë dhe euro. Kjo ka krijuar një vështirësi shumë të madhe”, tha ai.

Gjatë takimit u evidentua edhe mungesa e fuqisë punëtore, një problem që po ndikon gjithnjë e më shumë në proceset e kultivimit dhe vjeljes. Fermerët kërkuan më shumë mbështetje dhe politika favorizuese për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori.

Gazetare: Elsa Xhindole

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›