Zjarr masiv në Gjirin e Lalëzit, Sako: U evakuuan personat në një kompleks turistik dhe një banesë private

TIRANË, 22 shtator/ATSH/ Një zjarr ka rënë mbrëmjen e sotme në zonën e Gjirit të Lalzit, duke iu afruar me shpejtësi brezit të pishave dhe hoteleve në zonë.
Kryetarja e bashkisë Durrës, Emiriana Sako duke reaguar për situatën e krijuar nga zjarri në zonën e Shën Pjetrit në Gjirin e Lalzit u shpreh se ka pasur evakuime për arsye sigurie.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Sako bëri të ditur se për të garantuar jetën e qytetarëve, është kryer menjëherë evakuimi i plotë i të gjithë personave që ndodheshin në një kompleks turistik dhe në një banesë private pranë zonës së rrezikut.
Po ashtu, Sako u bëri thirrje qytetarëve dhe vizitorëve në zonë të ndjekin udhëzimet e autoriteteve dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme drejt zonës së prekur nga zjarri.
“Përhapja e shpejtë e flakëve është favorizuar edhe nga era e fortë. Strukturat zjarrfikëse të Bashkisë Durrës dhe ato të emergjencave kanë ndërhyrë menjëherë në terren dhe prej disa orësh po vijojnë operacionin intensiv për vënien nën kontroll të situatës dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit”, u shpreh Sako.
Kryebashkiakja e Durrësit informoi se në këtë operacion masiv janë angazhuar kapacitete të shumta njerëzore dhe logjistike në nivel rajonal e kombëtar.
“Forcat operative janë në terren. Nga bashkia Durrës janë angazhuar 4 mjete zjarrfikëse dhe 1 autobot, si dhe tre autobote mbështetëse nga ndërmarrjet e Bashkisë Durrës. Nga bashkia Tiranë (MZSH): 2 mjete zjarrfikëse dhe 1 autobot. Nga bashkia Shijak (MZSH): 1 mjet zjarrfikës. Nga bashkia Kavajë (MZSH): 1 mjet zjarrfikës. Nga bashkia Kamzë (MZSH): 1 mjet zjarrfikës”, tha Sako.
Po ashtu, Sako theksoi se Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka angazhuar 3 mjete zjarrfikëse dhe 40 forca.
“Operacioni mbetet i vështirë për shkak të shtrirjes së gjerë të flakëve, por ekipet operacionale po punojnë pa ndërprerje për izolimin e plotë të vatrave. Bashkia Durrës, në koordinim të ngushtë me Ministrinë e Brendshme, Mbrojtjen Civile dhe të gjitha shërbimet e emergjencës, po ndjek hap pas hapi situatën dhe mban në gatishmëri të plotë të gjitha kapacitetet e saj deri në normalizimin e plotë të situatës”, u shpreh Sako.
/m.m/j.p/