E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarr në Malin e Gërmanit, nis ndërhyrja nga shërbimi zjarrfikës e ai pyjor i Bashkisë Mat

Një vatër zjarri është aktivizuar mesditën e kësaj të enjteje në malin e fshatit Gërman të Njësisë Administrative Komsi në Bashkinë e Matit.

Ende nuk dihet se si është shkaktuar ndezja e zjarrit rreth orës 12:00 në një zonë të thepisur malore të këtij masivi pyjor.

Ndërkohë, burime nga terreni bëjnë të ditur se vatra e zjarrit është në një zonë të vështirë dhe fikja e plotë në një kohë të shkurtër është thuajse e pamundur.

Zjarri i rënë në këtë zonë malore mund të jetë nga pakujdesia e ndonjë bariu që ka qenë duke kullotur bagëtinë ose mund të jetë edhe zjarrvënie e qëllimshme.

Momentalisht janë angazhuar punonjës të shërbimit pyjor pranë Bashkisë Mat, atij zjarrfikës dhe banorë të zonës, por terreni në të cilin ndodhet vatra e zjarrit është i rrezikshëm.

Bimësia në këtë zonë është kryesisht Ahu dhe Arrnini, ndërsa pritet që flakët të vihen nën kontroll në orët në vijim teksa do të shtohen forcat e ndërhyrjes në terren dhe pritet t’i bëhen prita për të mos lejuar përhapjen e mëtejshme.

Kjo është vatra e parë e aktivizuar në këtë masiv pyjor për këtë vit, ndërsa është djegur edhe në vitet e mëparshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›