E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zjarr parcelës me ullinj në Shijak, arrestohet autori

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Në Shijak është arrestuar në flagrancë autori i një zjarrvënieje në një parcelë me ullinj dhe me pemë frutore.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Koxhas-Fushë, kishte rënë zjarr në një parcelë me ullinj dhe me pemë frutore, kanë reaguar menjëherë për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, u bë i mundur identifikimi, kapja  dhe arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar të zjarrvënies, shtetasit S. L., i cili u kap pranë parcelës, ndërkohë që zjarri ishte ende aktiv.

Nga këqyrja paraprake rezulton se janë djegur 2 dynymë tokë arë, në pronësi të shtetasit D. G., si dhe 169 pemë ulliri dhe pemë Paulownia, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›