Zjarret- Situatë problematike në disa fshatra të Mallakastrës, nis ndërhyrja nga ajri

Situata e zjarreve në disa fshatra të Bashkisë Mallakastër vijon të mbetet kritike, ndërsa vatrat aktive po përhapen në disa drejtime. Në Panahor, zjarri vazhdon me intensitet të lartë në drejtim të fshatit Panahor dhe fshatit Çyçen, me tendencë për t’u përhapur edhe drejt fshatit Cfir. Ndërkohë, mbi fshatin Ngraçan, zjarri vijon me intensitet më të ulët, por mbetet aktiv dhe po lëviz në drejtim të zonës së banuar.
Edhe në fshatin Riban vatra e zjarrit vazhdon të jetë aktive në pjesën e brendshme të pyllit me pisha, ndërsa flakët po përhapen me përmasa dhe intensitet të konsiderueshëm edhe drejt masivit pyjor të Ndrenies dhe Vloshtit.
Në terren janë angazhuar 4 mjete zjarrfikëse, 25 efektivë të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSH), 30 forca bashkiake dhe 50 trupa të Forcave të Armatosura, të cilët po punojnë pa ndërprerje për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit.
Për shkak të terrenit të vështirë, masivit të dendur pyjor, përhapjes së madhe të flakëve dhe rritjes së rrezikut gjatë orëve të mesditës, ka nisur edhe mbështetja me ndërhyrje nga ajri, në mënyrë që të parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm i situatës dhe rrezikimi i zonave të banuara.
/rtsh.al/