E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zjarret, Ambasada e Greqisë: Solidaritet me mjete ajrore zjarrfikëse

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Ambasada e Greqisë në Shqipëri shprehu sot solidaritetin me vendin tonë për përballjen me situatën e zjarreve, ku aktualisht po kontribuon me mjete ajrore zjarrfikëse.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ambasada e Greqisë në Shqipëri shpreh mbështetjen e saj të sinqertë për vendin mik dhe fqinj, Shqipërinë, ndërsa shprehet se “po monitoron situatën me frontin e gjerë të zjarreve në vend”.

“Në frymën e bashkëpunimit dhe solidaritetit, Greqia, brenda kuadrit të kapaciteteve të saj, kontribuon në përpjekjet për shuarjen e zjarreve me mjete ajrore zjarrfikëse, si në kuadër të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, ashtu edhe në kontekstin e bashkëpunimit dypalësh. Mendimet tona janë me popullin shqiptar”, thuhet në reagimin e Ambasadës së Greqisë.

Gjatë 24 orëve të fundit në gjithë territorin e vendit u regjistruan 34 vatra aktive zjarri, nga të cilat 13 janë izoluar dhe shuar.

/m.m//a.f//r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›