Zjarret shkaktojnë dëme të mëdha në blegtori – Kullolli: Zonat më të prekura janë Gramshi dhe Delvina

Zjarret që kanë përfshirë disa zona të vendit kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme edhe në blegtori. Shërbimi veterinar, i pranishëm në terren, ka konstatuar një numër të konsiderueshëm bagëtish të djegura, si pasojë e përhapjes së flakëve në sipërfaqe të gjera.
“Kemi grupe pune në bashkëpunim me Emergjencat Civile, bashkitë dhe policinë të cilët shkojnë në terren dhe bëjnë evidentimin e këtyre problemeve. Kafshë të dëmtuara deri tani kemi në Skënderbegas në Gramsh dhe Delvinë”, shprehet Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Veterinarisë në Tiranë, Sulejman Kullolli.
Situata më e rëndë është në Gramsh dhe Delvinë, ku dëmet në blegtori janë më të mëdha. Ndërkohë, Ministria e Bujqësisë pritet të hartojë një plan të posaçëm mbështetjeje për fermerët e prekur.
“Sigurisht që është në tagrin e qeverisë për të bërë të gjithë bilancin dhe më pas si do veprohet me dëmshpërblimet”, tha Kullolli.
Strukturat e emergjencave civile po punojnë në terren për të frenuar flakët dhe për të evakuuar bagëtitë e mbetura.
/rtsh.al/