Zjarri masiv në magazinën e rrobave të përdorura te “5 Maji”, Prefekti i Tiranës: S’ka rrezik për banesat e bizneset

Zjarri masiv që ka përfshirë një magazinë të rrobave të përdorura që ndodhet në rrugën “5 Maji” në Tiranë vijon, ndërsa deri më tani nuk paraqitet rrezik për banesat dhe bizneset. Kjo u bë me dije nga Prefekti i Tiranës, Afrim Qëndro, i cili tha për RTSH 24 se po ashtu deri më tani nuk ka rrezik as për banorët, ndërsa po punohet intensivisht për shuarjen e flakëve”.
“Nuk ka rrezik për banesat dhe bizneset. Pallati që është ngjitur vatrës është i pabanuar, nga ana tjetër ka magazina dhe për objektet e banimit afër nuk ka asnjë rrezik sepse po punohet për izolimin e zjarrit. Në terren janë të gjitha forcat e mundshme për ta menaxhuar. Nga zjarri është përfshirë një magazinë shumë e madhe”, u shpreh ai.
Policia ka vendosur një kordon sigurie, ndërsa në terren janë përfshirë 60 forca të shërbimit zjarrfikës dhe 11 automjete. Po ashtu, gazetarja e RTSH-së, Lusi Përgjegji bën me dije se është kërkuar ndihmë edhe nga zjarrfikësja e Vorës, Elbasanit dhe Durrësit.
/rtsh.al/