Zjarri në Nevada/ Evakuohen mbi 23 mijë persona, 32 shtëpi të shkatërruara, mijëra shtëpi mbeten pa energji elektrike

Një zjarr i madh që ka përfshirë zonat në veriperëndim të Renos në Nevada vazhdon të mbetet aktiv, ndërsa zjarrfikësit po përpiqen ta vënë nën kontroll. Flakët kanë detyruar dhjetëra mijëra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa mijëra të tjerë janë paralajmëruar të jenë gati për evakuim. Zjarri, i njohur si Hawk Fire, ka djegur më shumë se 15 mijë hektare tokë që prej shpërthimit të shtunën (22 gusht) në ultësirat e Sierra Nevada. Deri mbrëmjen e së hënës (24 gusht), ekipet e zjarrfikësve arritën të vinin nën kontroll rreth 27% të flakëve.
Bilanci i dëmeve është i rëndë. Shtatë persona janë plagosur, mes tyre tre zjarrfikës, ndërsa 32 shtëpi janë shkatërruar dhe gjashtë të tjera janë dëmtuar.
Fillimisht, rreth 23 mijë persona ishin urdhëruar të evakuoheshin, ndërsa 40 mijë të tjerë ishin paralajmëruar se mund të duhej të largoheshin në çdo moment. Shefi i Distriktit të Mbrojtjes nga Zjarri Truckee Meadows, Richard Edwards, njoftoi gjithashtu rihapjen e disa segmenteve të U.S. Route 395, përgjatë skajit verior të zjarrit.
Ndërkohë, rreth 3 mijë familje kanë rikthyer energjinë elektrike, ndërsa rreth 6 mijë vazhdonin të ishin pa energji dhe 250 pa gaz.
Kryebashkiakja e Renos, Hillary Schieve, u bëri thirrje banorëve të mos kthehen në shtëpitë e tyre derisa autoritetet të japin lejen zyrtare, duke paralajmëruar se kthimet e parakohshme mund të rrezikojnë banorët dhe të shtojnë ngarkesën mbi ekipet e emergjencës.
/rtsh.al/