Zjarri përfshin Parkun Kombëtar Lurë–Mali i Dejës, flakët favorizohen nga era e fortë

Një vatër zjarri vijon të jetë aktive në masivin pyjor të Parkut Kombëtar Lurë–Mali i Dejës, ndërsa flakët po përhapen me shpejtësi të favorizuara nga era e fortë dhe bimësia e dendur.
Për përballimin e situatës dhe shuarjen e flakëve janë angazhuar rreth 20 forca zjarrfikëse, punonjës të Bashkisë Dibër, punonjës të zonave të mbrojtura, si dhe vullnetarë të zonës.
Në operacionin për neutralizimin e zjarrit po ndërhyhet edhe nga ajri. Dy helikopterë janë angazhuar për të frenuar përhapjen e flakëve.
Vatra ndodhet në një masiv me pishë të zezë, një nga sipërfaqet e pakta pyjore që kanë mbetur në park. Kjo zonë është dëmtuar ndër vite nga prerjet e paligjshme dhe zjarret e përsëritura.
Forcat në terren vijojnë operacionin për izolimin dhe shuarjen e vatrës së zjarrit.
/rtsh.al/