E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zona e lirë ekonomike në Tiranë, Veliaj: Hap mijëra vende pune, i shërben zhvillimit

Zona e parë e Lirë Ekonomike në Shqipëri, po merr formën përfundimtare. Tashmë, ka nisur puna për ndërtimin e objekteve të shërbimit, ku pritet të gjenerohen 5 deri në 7 mijë vende pune.

Në inspektimin e punimeve, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Veliaj, bëri të ditur se kompanitë që do zhvendosen në këtë zonë do të kenë të gjitha shërbimet e nevojshme.

“Në këtë fazë do të ndërtojmë të gjitha ndërtesat e administratës, si dogana, tatimet, sigurisht edhe për Bashkinë e Tiranës, e cila administron për herë të parë si ent lokal një zonë të lirë ekonomike. Jemi mësuar se këto gjëra i bën privati, por është hera e parë që këtë punë e bën një ent publik. Ajo që shikoni është një hapësirë disa hektarëshe, e cila do të parcelizohet, duke u ndarë në seksione dhe rrugica më të vogla, ku secila prej kompanive do të marrë hapësirën e saj për të zhvilluar aktivitetin ekonomik. Pra, një one-stop-shop, afër Bashkisë së Tiranës, doganave, tatimeve, duke u siguruar që çdo gjë ndodh brenda këtij kantieri”, tha Veliaj.

Veliaj tha se TEDA Tirana është e dedikuar kryesisht për punët e së ardhmes për punë që lidhen me IT.

“Zona e lirë ekonomike TEDA është kryesisht për punët e së ardhmes, kryesisht për “data center”, pra për qendra të mëdha të të dhënave, për teknologjinë e informacionit, për inteligjencën artificiale dhe të gjitha punët që lidhen me sektorin e IT. Mund të jemi të parët në Ballkan, që shërbejmë si një nyje për qendrat e të dhënave të të gjithë Ballkanit, e më pas kthehet në një frymëzim edhe për të tjerët, për ta ndjekur këtë hap”, tha Veliaj.

Në përfundim Veliaj ftoi të rinjtë të ndjekin shkencat kompjuterike, ndërsa i siguroi se mbështetja me bursa nga ana e Bashkisë nuk do të ndalet./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›