1 Qershori, Dita Botërore e Fëmijëve – Të vegjlit dhe prindërit festojnë me aktivitete të larmishme

Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve është kthyer jo vetëm në një ditë festive, por edhe në një ditë për t’i thënë jo dhunës dhe abuzimit ndaj fëmijëve. Është dita kur vetë fëmijët shprehen lirshëm për të thëne të drejtat e tyre.
Në Shqipëri, Kosovë dhe mbarë botën, kjo ditë u kushtohet fëmijëve, me organizime dhe aktivitete të larmishme. Në Tiranë, fëmijë dhe prindër kanë festuar me aktivitetet të ndryshme pranë kopshtit zoologjik.
Dita e fëmijëve u vendos në datën 1 qershor, sepse në këtë datë është mbajtur Konferenca Botërore e Mirëqenies së Fëmijëve në Gjenevë, në 1925. Dy vjet më pas Festa e 1 qershorit filloi të festohet në të gjithë botën.
Vendet të cilat e festojnë Ditën Botërore të Fëmijëve më datën 20 nëntor e bëjnë këtë në përkujtim të Deklaratës për të Drejtat e Fëmijëve, miratuar nga ana e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 20 nëntor të vitit 1959.
Shumë vende të botës e kanë pranuar atë si festën ndërkombëtare të fëmijëve dhe realizojnë festime të cilat kanë si qëllim të rrisin vëmendjen në drejtim të mirëqenies së tyre.
/rtsh.al/