E Enjte, 5 Nëntor 2026

1 i arrestuar, 3 në procedim penal e 9 në kërkim për dhunë në protestën e opozitës

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë njoftoi sot se në lidhje me protestën e djeshme të opozitës në vijim të veprimeve hetimore dhe  procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë arrestoi në flagrancë shtetasin: Xh. Rr., 57 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Po ashtu, Policia njoftoi procedimin në gjendje të lirë shtetasit F. D., 31 vjeç, dhe 2 shtetas të mitur të moshave 16 dhe 17 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Gjithashtu, sipas policisë, po punohet për kapjen e shtetasve K. K., 43 vjeç, M. T., 24 vjeç, I. T., 49 vjeç, A. P., 46 vjeç, S. B., 49 vjeç, D. N., 62 vjeç, K. B., 22 vjeç, H. V., 68 vjeç, dhe e një shtetasi të mitur 17 vjeç, të dyshuar për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, “Goditjet për shkak të detyrës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Shkatërrimi i pronës”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë të rendit publik”, parashikuar nga nenet 274, 237, 151, 150, 282 dhe 236 të kodit Penal.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar:

– 68 mbetje flakadani të plasur;

– 23 copa plastike të shisheve të djegura;

– 3 shishe plastike uji;

– 3 tymuese të plasura;

– 1 shishe 0.5 litër me lëndë djegëse me lëndë piroteknike të paplasur;

– 1 çantë me ngjyrë të zezë me 8 shishe plastike 0.5 litër me lëndë djegëse (molotovë);

– 1 kuti cilindrike bombol;

– 2 çanta me 17 bidonë 0.5 litër me lëndë të dyshuar djegëse bashkëlidhur lëndë piroteknike të paplasur (molotovë).

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në akte të dhunshme gjatë protestës së ditës së djeshme.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›