E Shtunë, 31 Tetor 2026

10 cilësitë e ish komunist-antikomunistit

Nëse në diktaturë do të kërkoje tëpranoheshe anëtar i Partisë së Punës (komuniste) duhej të zbatojenë teori dhe në praktikë 10 cilësitëe famshme të komunistit, të cilat ishin taksative, të padiskutueshme, atëbotë sipërore…Nuk e di nëse partitë e sotme kanë apo jo kërkesa e kushte të ngjashme statutore, politike, morale e botëkuptimore kur bëjnë pranime të reja në parti. Me shembjen e komunizmit, me siguri të paktën në letër janë zhdukur pa nam e pa nishan këto 10 cilësi, të cilat edhe pse i kërkova në internet te statuti i partisë së sotme komuniste të H. Milloshit, nuk i gjeta…Jam i bindur që edhe po të pyes ndonjë ish komunist fanatik të shndërruar sot në antikomunist të flaktë, me siguri këta do të më thonë se nuk i mbajnë mend, duke të quajtur madje edhe “nostalgjik të pandreqshëm të diktaturës”...Shumica e ish komunist-antikomunistëve të sotëm jo vetëm që nuk e zënë në gojë se kanë qenë komunistë të devotshëm, pjesë e lartë e nomenklaturës, anëtarë të Komitetit Qendror e deputetë etj, sot nguten të rrëfejnë, me rast e pa rast, se si kanë qenë kundër Enverit dhe sistemit të tij kriminal...Kur lexoj e dëgjoj dëshmitë, rrëfimet e kujtimet e tyre më lind pa dashje kjo pyetje: Si qëndroi në këmbë aq gjatë diktatura kur ka pasur aq shumë armiq të brendshëm, kur përveç atyre nëpër burgje dhe kampe përqendrimi ca më tepër paskësh pasur nëpër poste të larta drejtuese? Pas kësaj më del një tjetër më naive: Kujt ia japin këto prova disidence të vonuar, të panevojshme e të panjohur këta “anti” të vetëshpallur, pas njëzet vitesh të shembjes së komunizmit? A mos kështu ata besojnë se po e lajnë veten njëherë e përgjithmonë?
Këtyre pyetjeve nuk jam në gjendje t’u jap një përgjigje përfundimtare. Vetëm se mund të them që në shoqërinë tonë ka lindur tashmë një specie e cila ia vlen të studiohet, jo vetëm pse është përhapur si një epidemi, por edhe pse po e mban gjatë nën thundër shoqërinë, moralin, mediat, partitë, demokracinë, pluralizmin, politikëbërjen. Kjo është raca e re e ish komunist-antikomunistëve, të cilët mesa duket ja kanë parë hairin këtij lloj tjetërsimi..
***
Meqë kryeministri aktual po këmbëngul të rishkruhet historia, të dënohet komunizmi, objekti në fjalë, dmth 10 cilësitë (kushtet) e komunistit lipset të analizohen, pasi me to mund të bëhet një farë autopsie reale dhe konkrete e monizmit, si dhe e përqasjes, kjo është më e rëndësishme!- që ka (ose nuk ka?) ai sistem me partitizmin dhe pluralizmin e sotëm, sepse dilema e këtyre 20 viteve gjithsesi ka mbetur pa përgjigje: a janë partitë e sotme dhe sidomos liderët e tyre pjella të mendësisë dhe të praktikës së monopartitizmit, duke u katapultuar mekanikisht në pluralizëm? A funksionon po njëlloj “centralizmi demokratik” brenda partive? A janë kryetarët e partive të pazëvendësueshëm e të padiskutueshëm, njëlloj si në diktaturë? A mos janë në të vërtetë shëmbëlltyra apo ca më keq karikatura të tyre ata krerë partish që shajnë e mallkojnë Enverin apo Zogun, ndërsa në të vërtetë i adhurojnë e imitojnë?…
E pra, po ta mendosh hollë-hollë, këto pyetje pa përgjigje po mbajnë peng tranzicionin tonë të tejzgjatur dhe problematik, duke mos lejuar të kryhet njëherë e përgjithmonë e përsëmbari procesi i dekomunistizimit të shoqërisë.
Besoj se nuk më kundërshton dot kush nëse them se sot po të vetëshpallesh si ish komunist-antikomunist i thukët, domosdo i jep vetes më shumë vlerë dhe si rrjedhojë do të ndjehesh ku e ku më i nderuar se po të kesh qenë i përndjekur ose i persekutuar i njëmendtë i atij regjimi. Ndonëse kanë kaluar mbi 20 vjet nga përmbysja e komunizmit, ne ndoshta jemi vendi i vetëm në Evropën Lindore ku politika dhe partitë nuk ushqehen e nuk ngjizen me vlerat, ligjet dhe rregullat e demokracisë, por me antikomunizëm të pasosur e të vetëshpallur të ish komunistëve, të ish spiunëve dhe të ish fanatikëve, të cilët detyrohen të japin prova e dëshmi të njëpasnjëshme nëpërmjet mallkimeve, memuareve e auto-intervistave se ndoshta kanë qenë “kundër”, gjë që në fakt e degradon luftën kundër diktaturës…Pikërisht kjo shtirje, ky zvetënim moral, ky kameleonizëm ka penguar dhe dëmtuar rëndë afirmimin dhe ndërtimin e një sistemi real e funksional demokratik. Ky shfytyrim moral po mban gjallë nostalgjinë, nëpërmjet krahasimit të dhjetë cilësive të komunistit me dhjetë cilësitë e ish komunist-antikomunistit të cilat edhe pse nuk janë shpallur po aplikohen me sukses nga kjo armatë e pafund karrieristësh të pafytyrë...
Kështu, nëse Berisha nuk do të kishte qenë komunist, ish sekretar byroje, ish mjek i bllokut, nuk kishte pse të vuante nga kompleksi i fajit nga e kaluara e vet, nga provat që detyrohej të jepte për “dhjetë cilësitë e komunistit”, që edhe në demokraci të shtirej sikur ka qenë dhe është një nga antikomunistët më të papërmbajtur e më të përbetuar të Ballkanit e më gjerë…Rrjedhimisht, jo vetëm ai e partia e tij private, por mbarë shoqëria do ta kishte mbyllur me vakt e me kohë procesin e domosdoshëm të dekomunistizimit. Si kreu i ish komunist-antikomunizmit, ai është i dënuar të mbetet rob i të kaluarës, në ngërç e në sherr të pasosur jo vetëm me veten, me kohën dhe shpurën e vet politike, po me mbarë shoqërinë.
***
Në ndryshim nga partia mëmë (P. e Punës), dyshoj se të gjitha partitë e sotme nuk vënë kushte paraprake, nuk kanë kërkesa “morale dhe ideore”, nuk të kërkojnë dhe nuk ta bëjnë/shoshitin e rrëmojnë biografinë e familjes, nuk të dërgojnë në stazh të punosh si bujk a si hamall, nuk të pyesin nëse ke apo nuk ke cilësi morale, nëse je apo nuk ke qenë i dënuar si hajdut a si vrasës, nëse je analfabet apo nëse i ke blerë dy a tri diploma bashkë me “masterin” në universitetet private…Mjafton të vetëshpallesh antikomunist e të thuash me zë dhe figurë që je “me ne”, se je kundër “armiqve të partisë”, se mbi të gjitha trevat e shqiptarëve nuk ka burrë më të madh e më të drejtë se kryetari aktual i partisë…që të ta japin teserën në dorë. Për të qenë më konkretë, le të përpiqemi të skicojmë, qoftë edhe me hamendje, cilat janë dhjetë cilësitë e ish komunist-antikomunistit të sotëm:
1. Ish komunist-antikomunisti duhet të japë prova të përditshme e të patundshme besnikërie se ka qenë kundër, se ka urryer me shpirt jo vetëm diktaturën, por cilindo armik të partisë dhe të udhëheqësit, duke mbrojtur vijën dhe direktivën e partisë me çdo mjet, qoftë me sharje, shpifje, akuza, vjedhje votash, firmosje tenderash të paligjshme, rrahje, tjetërsim pronash, debate, etj, etj,…Partia dhe kryetari i saj janë forca lëvizëse e shoqërisë dhe demokracisë.
2. Asnjë parti nuk thotë se do të zhvillojë luftën e klasave, si brenda dhe jashtë partisë, por ama uniteti do të forcohet nëpërmjet metodave demokratike të eliminimit të përjashtimit, nëpërmjet papunësisë, “tregut të lirë”, përbaltjes, diskriminimit, poshtërimit publik të cilitdo që del kundër…Armiku më i rrezikshëm është ai që neglizhohet!
3. Kryetari i partisë ka përherë të drejtë, edhe kur gënjen, edhe kur mashtron, edhe kur vret protestues, pasi ai këto i bën për të mirën e demokracisë, si mbrojtës dhe si garant i vetëm i saj, ndërsa diktatura shtypjen dhe dhunën e kryente për të mbrojtur diktatorin.
4. Ish komunist-antikomunisti i vërtetë nuk ka frikë nga fjala, nuk druhet as kur tjetër ka thënë dje e të kundërtën sot; sepse ai tjetër bën, tjetër thotë e tjetër mendon…Ai lufton me shpirt të forcohet vigjilenca demokratike, të zbulohen e të demaskohen ku janë e ku nuk janë ata që nuk janë me ne, duke i shpallur dhe damkosur jo vetëm si antidemokratë, por edhe si antikombëtarë…
5. Merita e nacionalistit dhe e shëmbësit të diktaturës i takon ish komunist-antikomunistit më të madh e më të shquar të gjitha kohërave, Berishës! Të gjithë pararendësit e tij, ose i kanë shitur, ose i kanë tradhtuar interesat kombëtare!
6 . Anëtarësia në parti nuk do të thotë të jenë të gjithë të barabartë, se nuk do të ketë hierarki, favore dhe privilegje, akraballëqe, hatëre, nepotizëm, klientelizëm, pasurim të shpejtë, etj,…Këto të mira të demokracisë e të lirisë do të jenë përherë në raport të drejtë me kontributin që jepet në parti dhe sidomos me besnikërinë e dashurinë që tregohet ndaj udhëheqësit…Dosjet mund të hapen vetëm për ata që do të guxojnë të dalin kundër!
7. Disiplina në parti nuk do të thotë të mblidhen, të diskutojnë e të vendosin forumet, se kur flet kryetari, nuk ka nevojë as për forume, as për mendime alternative…pasi këto mbjellin përçarje dhe mungesë uniteti.
8. Nuk është e domosdoshme që militanti të karakterizohet nga një drejtësi e kulluar, të jetë pa njolla në ndërgjegje e biografi, të ketë “duart e pastra” te partia, kur shërben me devocion, të lan gjynahet…Por ama nuk duhet të fshehë kurrë gabimet e të tjerëve, sidomos kur duhet të zbulojë e denoncojë publikisht mëkatet e fajet e “armiqve” në demokraci, qofshin këta President, Kryeprokuror, Gjykatë Kushtetuese, opozitar, etj. Duke qenë i imunizuar nga çdo gjykatë, pasi çdo ndërhyrje quhet “me prapavijë politike”, edhe kur vjedh, edhe kur rrihet, edhe kur korruptohet, edhe kur shpif, edhe kur vret në emër të partisë, ish komunist-antikomunistit nuk i lejohet të ketë frikë, drojë, sqimë dhe turp….
9. Një ish komunist-antikomunist mund të shfaqë hapur e pa frikë meritat e veta, përndryshe nuk bën karrierë….Nuk ka rëndësi nëse ka mbaruar apo nëse ka blerë disa diploma apo master, pa mbaruar as shkollën e mesme, pasi për merita në parti ai është i lirë të bëhet deputet, pronar, diplomat, akademik, analist, Mjeshtër i Madh, ose ministër, etj…
10. Ish komunist-antikomunisti mund të quajë pa frikë këdo komunist dhe “bir të bllokut”, edhe nëse nuk kanë qenë të tillë, pra pavarësisht nëse vetë ka qenë i tillë, pasi ai në këto njëzet vjet e ka provuar veten si antikomunist i përbetuar.
***
Tregu i lirë i teserave është vulgarizuar, lulëzuar e fuqizuar aq shumë sa çuditërisht sot vlen për punësim më shumë një teser i LSI-së, se tesera e PD-së, ashtu si po të zbulohesh se mban në sirtar teserën e PS-së, jo vetëm që nuk do të gjesh dot punë në administratë, por edhe po të kesh një biznes privat do të përndiqesh nga tatimorët, policitë e ndërtimit e ato bashkiake…Në këto kushte sot ka jo pak njerëz të cilët kanë shijuar jo një, po më së paku dy apo tri tesera partie…Hë për hë nuk ka biznes më të frytshëm se allishverishi i teserave të partive, të cilat sot nuk konvertohen më me sakrifica, me përkushtim, me “vajtje në bazë”, me “punë fizike”, ca më pak me ide, bindje dhe ideale të përbashkëta. Mercenarizmi dhe vetëshpallja antikomunist, duke nxjerrë ndonjë ish të persekutuar a të përndjekur të familjes (si nxirrej e futej në biografi ndonjë ish partizan, paçka se atyre, në kohë të vet, nuk u kishe hapur derën…) janë mundësi të mrekullueshme për të bërë hajër, karrierë, pasuri dhe emër…Tesera e partisë të jepet sakaq në këmbim të një punësimi, të dhënies/mosdhënies të posteve, të ofiqeve, të pronave, të tenderave, gradimeve, emërimeve, pse jo edhe të lavdeve e meritave të pamerituara…
Prandaj dukuria “Berisha”, ky shembull i përkryer dhe i spikatur i ish komunist-antikomunistit të suksesshëm ia vlen besoj të studiohet në themel, jo vetëm për të kuptuar se çfarë kushtesh duhen plotësuar që të meritohet ky “status” aq i lakmuar, por edhe përse ne shqiptarët po ecim drejt së ardhmes si gaforrja.

(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›