10 urdhëresat e Edvinit shuajnë parlamentarizmin
Edhe pse humbi zgjedhjet Parlamentare në 2009 dhe ato lokale të këtij viti, kreu i PS-së kërkon të qeverisë dhe të kushtëzojë si mundet jetën politike, sociale dhe integrimin europian Shqipërisë nëse asaj (PS-së) nuk i jepet dorë e lirë për të zaptuar me “konsensus” ca qendra pushteti. Plotësimi i 10 urdhëresat socialiste do të ishte jo normalizimi i opozitës parlamentare, por shuarje të parlamentarizmit, eliminimi politik i konceptit të maxhorancës që është përfaqësues i sovranit votues 50+1, heqja e çdo të drejte shumicës parlamentare për të bërë politikë, neutralizimi i pushtetit qeverisës dhe krijimin de-fakto të opozitës qeverisëse. Pushteti kushtetues i maxhorancës nuk mund të kufizohet duke përdorur të drejtën e shqiptarëve për të hyrë në Europë. Kjo është paturpësi.
Përmes 10 kushteve opozita i drejtohet shumicës parlamentare për t’i marrë asaj sadopak Pushtet (Avokat të popullit, Guvernatorin e BSH, KLSH, TVSH, Presidentin, etj) domethënë atë ç’ka nuk e realizoi me protesta, greva urie dhe demonstrata të dhunshme, kërkon ta imponojë me një makiavelizëm cinik gjoja platformë për “Shqipërinë si e gjithë Europa”. Luan me aspiratën legjitime europiane të Shqiptarëve sikur të ishte një lojë fëmijësh Blloku.
Është një poshtërsi propozimi i Ramës sepse ka pasur dy vjet për të propozuar bashkëpunimin me maxhorancën me Paktin për Integrimin, por ka harxhuar gjithë këtë kohë për ta rrëzuar qeverinë Berisha me aksione politike, që shpesh herë kanë kapërcyer veprimet antidemokratike. Propozimi i një platforme politike për integrimin europian në një dead-line, në një kohë vdekje, për t’i dhënë një mesazh Komisionit Europian përpara se të nxjerrin progres-raportin, ku vendoset marrja e status-kandidat për në BE - është një tallje cinike, e zakonshme për sojin e kësaj opozite. Dhe sot e kësaj dite përfaqësuesit më të lartë të maxhorancës e kanë të vështirë të kuptojnë qëndrimin e Ramës që “nuk votojmë asnjë ligj me 3/5 pa u kthyer edhe njëherë në komisionin e ligjeve”. Mirëpo të zëmë një shembull si mund të kthehet mbrapsht ligji për disa shtesa dhe ndryshime në Kodin Rrugor kur ky ka marrë një herë miratimin e opozitës në komision, ç’ka do të bëjë opozita ta hedhë poshtë duke kundërshtuar vendimin e saj. Apo shembull tjetër është miratimi me 3/5 i ngritjes së Gjykatës Administrative. Gjykata Administrative nuk është se do të funksionojë në favor të pushtetit. Gjykata si fillim janë një “opozitë” që i bëhet pushtetit. Domethënë janë gjykata kur një qytetar, i cili ka një ankim për një veprim arbitrar të një funksionari të policisë apo të komunës, apo bashkisë shkon dhe troket në derë dhe thotë se unë e padis këtë sepse ai ka shkelur të drejtat e mia kushtetuese. Çfarë e keqe vjen nga kjo. Është e papranueshme kjo lojë jo serioze. Maxhoranca donte përgjatë seancës së fundit parlamentare një sinjal mirëbesimi, një gurë prove nga opozita parlamentare, të paktën të votonte një ligj të pranuar dhe miratuar parimisht nga të dyja palët në Komision.
Megjithatë synimi i Ramës sot është të marrë ca qendra pushteti dhe prej andej të sulmojë marrjen e pushtetit. Humbja e Bashkisë Tiranë e vetiu mpiksja e burimeve financiare e detyron të ofrojë kinse pakte bashkëpunimi, që të qetësojë partinë e tij, e cila është jashtë çdo institucioni kushtetues. Ai kërkon deformimin e sistemit dhe vënien e tij nën kontrollin e plotë të politikës dhe të tijin personal, me anën e balancimit nëpërmjet marrëveshje politike dhe jo procedurave kushtetuese.