10 vjet mësim

Sot (e premte), në orën 20:30, në Teatrin ‘Dodona’, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Studentëve për Film dhe Teatër ‘Skena UP’, do të jepet shfaqja ‘Mësimi’, e cila është krijuar sipas tekstit të Eugene Ionesco-s, nga regjisori Bekim Lumi. Paraqitja e ‘Mësimit’ në edicionin e 10-të të këtij festivali bëhet në kuadër të shënimit të 10-vjetorit të krijimit të kësaj shfaqjeje, e cila, falë vlerave të saj artistike, konsiderohet si një nga kult shfaqjet teatrore në Kosovën e pasluftës. Në këtë shfaqje luajnë aktorët Astrit Kabashi dhe Adriana Matoshi.
Shfaqja ‘Mësimi’ është krijuar në periudhën kohore nëntor 2001 – shkurt 2002, në Teatrin ‘Dodona’, në Prishtinë. Krahas repertorit të rregullt në Teatrin ‘Dodona’, shfaqja ‘Mësimi’ është paraqitur edhe nëpër disa festivale teatrore ndërkombëtare, si në Paris, Kretë, Lugano, Lecce, Napoli etj. Në Festival Internazionale del Teatro (2006) në Lugano (Zvicër), në një konkurrencë të fuqishme ndërkombëtare, kjo shfaqje është nderuar me çmimin ‘Shfaqja më e mirë’. Gjithashtu, për shkak të vlerave të saj të mëdha artistike, kjo shfaqje, në vitin 2009, është blerë për repertorin e dy teatrove italiane (Cantieri Teatrali Koreja dhe Teatro Galleria Toledo).
Me përmbajtjen e saj, shfaqja ‘Mësimi’ mëton të jetë një orë ‘mësimi’, gjatë së cilës një nxënëse, duke qenë se nuk pranon t’i nënshtrohet diktatit skolastik dhe ‘didaktik’ të profesorit të saj, keqtrajtohet psiqikisht dhe fizikisht deri në përdhunim dhe vrasje. Si e tillë, shfaqja, më shumë se gjithçka tjetër, evidenton prirjen e përhershme të dhunës verbale (retorike) për eskalim në dhunë fizike. Në këtë kontekst, ajo mund të ‘lexohet’ si një mësim mbi dhunën, të cilën, në kohë dhe hapësira të ndryshme, në formë verbale apo fizike, e ushtron i madhi mbi të voglin, i forti mbi të dobëtin, apo, në fund të fundit, ‘njeriu’ mbi njeriun. Elementi i vetëm skenografik i shfaqjes është një karrige, e cila, me shfrytëzimin e saj total, merr karakter multifunksional dhe, gradualisht, si një mekanizëm i ‘gjallë’ dhune, shpërndërrohet në një ‘personazh të tretë’ të shfaqjes.
“Rikthimi i shfaqjes ‘Mësimi’ në skenë 10 vjet pas krijimit të saj është një shënim simbolik i mbijetesës së gjatë artistike të kësaj shfaqjeje, me krijimin dhe suksesin e madh të të cilës identifikohet skena teatrore kosovare e pasluftës. Duke qenë se ky rikthim bëhet për shkak të kërkesave të shumta të spektatorëve, unë dhe aktorët e shfaqjes këtë gjest e kuptojmë edhe si shprehje e nevojës së publikut tonë për t’u identifikuar me vlera dhe standarde artistike të verifikuara brenda dhe jashtë vendit”, u shpreh, me këtë rast, regjisori Lumi.