E Diel, 1 Nëntor 2026

Autobiografia e Gjinit

Kompozitori i njohur shqiptar Vinçenc Gjini u prezantua para publikut të Zagrebit me librin e tij autobiografik ‘Unë jam Vinçenc Gjini’, në të cilin shpalos 77 vjet të jetës së tij.

“Unë jam Vinçenc Gjini” është libri që është promovuar në muzeun Mimara në Zagreb në kuadër të manifestimit ‘Ditët e Kulturës Shqiptare’, në të cilin morën pjesë një numër i madh i personaliteteve të jetës shoqërore dhe publike nga Kroacia dhe Kosova.

Prezent në këtë tubim kulturor ishin edhe ambasadorët e Kosovës dhe Shqipërisë në Zagreb, respektivisht Valdet Sadiku dhe Pëllumb Qazimi.

Paraqitjen e librit e bëri Marija Janaçek Buljan, muzikologe, kurse referues ishte Akademik Zef Mirëdita.

Libri është një pasqyrë e shkurtër dhe ka 320 faqe, me ngjarje dhe fakte të pasura autentike.

“Dëshiroj që kjo autobiografi të sjellë duartrokitje tingëlluese simbolike dashamirëve të kulturës sonë. Libri ‘Unë jam Vinçenc Gjini’ është përpiluar me sensualizëm objektiv, me emocione të paqëndrueshme psikike e me plot jetë. Ky sjell jetëshkrimin tim të rëndë e gjembor, por ju njofton edhe me çaste të suksesshme e të këndshme të një pedagogut, të një profesorit universitar dhe krijuesit muzikor”, tha autori Gjini.

Libri “Unë jam Vinçenc Gjini’ është autobiografi e ilustruar, me foto dhe me shembuj të shkurtër të kompozimeve të autorit. Është i ndarë në gjashtë kapituj. Kapitulli më i gjatë, nënkuptohet, është ai i krijimtarisë së autorit. Lënda e librit është e gjerë dhe shfaqet me shumë shpjegime.

Vinçenc Gjini i takon gjeneratës së parë të muzikantëve akademik kosovarë, të cilët kaluan vështirësi të mëdha nën sistemin e atëhershëm politik, mirëpo, me punën e palodhur të tij, ngriti zhvillimin kulturor në Kosovë dhe në përgjithësi kulturën mbarëshqiptare.

Pas promovimit të librit u mbajt edhe një koncert solemn me vepra të kompozitorëve shqiptarë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›