100 ditët në burg të Veliajt: “Ndalimi i padrejtë vazhdon! Po pengohem të ushtroj detyrën”

Kryebashkiaku i zgjedhur i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, reagoi përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ku tha se prej 100 ditësh po pengohet të ushtrojë detyrën e dhënë nga qytetarët e Tiranës.
“Sot bëhen 100 ditë nga burgimi im pa asnjë justifikim të arsyeshëm. Ndalimi im i padrejtë dhe arbitrar vazhdon, megjithëse nuk jam akuzuar për asnjë vepër penale. Si pasojë, po pengohem forcërisht nga ushtrimi i detyrave të mia si Kryetar i zgjedhur, me votë masive 3 herë, i Bashkisë së Tiranës,” shkroi z. Veliaj.
Kryebashkiaku thekson se do të vijojë të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të dalë nga qelia.
“Pavarësisht burgimit mbetem i papërkulur. Çdo ditë që kalon, ma forcon edhe më shumë vendosmërinë. Angazhimi im ndaj Tiranës, ndaj jush, ndaj demokracisë, sundimit të ligjit dhe të ardhmes së Shqipërisë mbetet i palëkundur. Do të vazhdoj të ndjek të gjitha rrugët ligjore për të siguruar lirimin tim, në mënyrë që të vazhdoj t’i shërbej qytetit tonë të mrekullueshëm si kryebashkiaku juaj,” shkroi z. Veliaj.
Gjatë së hënës, kryebashkiaku i Tiranës bëri rekurs në Gjykatën e Lartë kundër masës së sigurisë të dhënë ndaj tij “arrest me burg”.
Veliaj u arrestua në muajin shkurt të këtij viti nën akuzën e korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh.al/