Vendet e OBSH miratojnë marrëveshjen historike për pandeminë, shmang përsëritjen e gabimeve me Covid-19

Të gjitha vendet anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë miratuan këtë të martë marrëveshjen historike të pandemisë, pas tre vitesh negociata të shënuara nga tensione gjeopolitike dhe diskutime rreth pabarazive në aksesin ndaj vaksinave, trajtimeve dhe diagnostikimit të sëmundjeve. Traktati i miratuar në mes të prillit kaloi nga Asambleja e 78-të Botërore e Shëndetësisë, që u mbajt në Gjenevë.
“Marrëveshja është një fitore për shëndetin publik, shkencën dhe veprimin shumëpalësh. Ajo do të sigurojë që ne, kolektivisht, ta mbrojmë më mirë botën nga kërcënimet e ardhshme pandemike,” tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus pas miratimit.
Për më tepër, për herë të parë në një traktat ndërkombëtar, qeverive u kërkohet t’u bashkëngjisin kushte fondeve publike të investuara në kërkime, të tilla si sigurimi i çmimeve të përballueshme, shkëmbimi i teknologjisë dhe lehtësimi i licensimit, siç përshkruhet në nenin 9 pika 5. Kjo është për të siguruar që investimet publike të përkthehen në akses të barabartë në vaksina, trajtime dhe diagnostikime, dhe është hera e parë që kushtet e aksesit në fondet publike për kërkimin mjekësor hyjnë në një marrëveshje ndërkombëtare.
Marrëveshja ambicioze ka si objektiv kryesor parandalimin e pandemive të ardhshme dhe, nëse ato ndodhin, bota të japë një përgjigje “të barabartë” dhe “të koordinuar” në nivel global.
/rtsh.al/