100 mije vizitore per pese dite ne Panairin e Librit

Është mbyllur të dielën në mbrëmje edicioni i 15-të i Panairit të Librit “Tirana 2012”. Në një ceremoni të veçantë, në orën 18.00, me praninë e Ambasadores së Francës Christine Moro, drejtoreshës së Institutit Italian të Kulturës, Fulvia Veneziani, diplomatë e politikanë u ndanë edhe çmimet e panairit. Për këtë vit, juria e përbërë nga Arta Marku, Dhurata Shehri, Mirela Kumbaro, Fatos Baxhaku dhe Parid Teferiçi kanë përzgjedhur më të mirët mes rreth 70 kandidaturave të ofruara nga botuesit.
Këtë vit panairit i mungoi çmimi për Letërsinë për Fëmijë. Arsyet sipas kryetarit të Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, janë mungesa në tregun e librit të letërsisë dedikuar fëmijëve. Autorët shqiptarë nuk i qasen letërsisë për fëmijë. Këtë e përforcoi edhe Mirela Kumbaro, anëtare e kësaj jurie në fjalën e saj përshëndetëse.
“Juria nuk gjeti sivjet një kandidaturë të mjaftueshme që të plotësonte kriteret për çmim në kategorinë e letërsisë për fëmijë, tha ajo. “Në këtë edicion ky çmim mungon ndaj uroj që kjo të jetë një nxitje për të pasur më shumë letërsi për fëmijë në edicionet e ardhshme, sidomos nga autorët shqiptarë”. Kumbaro përmblodhi edhe punën e jurisë së këtij panairi: “Puna ka nisur që në qershor të këtij viti”, tha ajo, “menjëherë pas publikimit të njoftimit drejtuar shtëpive botuese për të sjellë kandidaturat e tyre. Në mënyrë të pavarur ne kemi lexuar librat dhe që në verë, mblidheshim, debatonim dhe parashtronim mendimet tona mbi librat e prezantuar, të cilët janë lexuar nga të gjithë anëtarët e jurisë. Gjithashtu kemi përsëritur disa herë njoftimin për të sjellë botimet e reja dhe këtë e kemi bërë deri më datë 10 nëntor, kur ky afat përfundoi. Këtë e bëmë për t’u dhënë mundësi sa më shumë pjesëmarrësve”.
Ndërkaq çmimin për Përkthyesin e Vitit e mori Rudi Erebara, për përmbledhjen poetike, “Tek era e kam shpëtimin”, të poetit amerikan Archibalt Ammons, i shtëpisë botuese “Aleph”. Çmimi u dorëzua nga shkrimtari Parid Teferiçi me motivacionin për guximin në përcjelljen në shqip të një autori të vështirë, por emancipues.
Këtë vit u dha edhe një çmim për Përkthyesin më të mirë nga gjuha frënge, ofruar nga Ambasada e Francës, i cili shkoi për përkthyesin Orgest Azizi për përkthimin e vëllimit të pare të librit “Historia e seksualitetit” të Michel Foucault, botim i UET Press. Përkthyesi u vlerësua për cilësinë e interpretimit të koncepteve filozofike të një vepre. Në mungesë të përkthyesit, I cili jeton në Paris, këtë çmim Ambasadorja Franceze në Tiranë ia dorëzoi babait të përkthyesit, Astrit Azizi. “Ambasada vetëm e ka mbështetur financiarisht këtë çmim”, tha ambasadorja Moro, “sepse përzgjedhja e fituesit është bërë nga juria. I gjithë ekipi i amabsadës është i lumtur për pjesëmarrjen në këtë panair dhe me këtë rast përgëzoj organizatorët për këtë event të bukur dhe që na përfshinë edhe neve në të”.
Çmimi special i jurisë shkoi për Aleko Mingën për sjelljen në shqip të librit “Simfonia e numrave të thjeshtë” të Markus du Sautoy, botim i Institutit të Dialogut dhe Komunikimit me motivacionin “si stacion domethënës në rrugën e tij për popullarizimin e shkencës”. Çmimin e dorëzoi Fatos Baxhaku, anëtar i jurisë.
Ndërsa çmimin kryesor të panairit atë për Autorin e Vitit e mori Artan Fuga për librin “Rënia e qytetit”, botim i shtëpisë “Papirus”. Autori Fuga u vlerësua për mënyrën e re se si e shkruan qytetin si koncept, si jetesë dhe si metamorfozë. “Rënia e qytetit” është një botim ku ndërthuret syri i vëzhguesit që jeton brenda një qyteti shqiptar, me analizën e fakteve prej një filozofi social siç është dhe filozofi Artan Fuga, duke parashtruar njëkohësisht ide bashkëkohore se si duhet të jetë një qytet. Në mungesë të autorit, çmimi iu dorëzua nga Dhurata Shehri, botuesit Benet Koleka.
Në edicionin e 15-të të Panairit të Librit mbi 100 botues nga treva të ndryshme shqiptare, por edhe universitete dhe shtëpi botuese të huaja kanë ekspozuar për pesë ditë në Tiranë mbi 60 mijë tituj botimesh, ndër të cilët 1500 të rinj. Përveç prezantimit të librave në stendat përkatëse të shtëpive botuese dhe sallat e konferencave u zhvilluan më shumë se 60 promovime autorësh e librash të rinj, ndërkohë që në serinë e aktiviteteve nuk munguan diskutimet mbi tema profesionale, për komunikimin, konferencat, apo dhe ekspozetë, përfshirë edhe atë që Shoqata e Botuesve Shqiptarë kishte parashikuar në këtë vit të 20 vjetorit të saj. i shtrirë në të tria katet e Pallatit të Kongreseve, me një pjesëmarrje më të madhe se asnjë vit tjetër, në këtë edicion panairi ka zënë një sipërfaqe prej 1800 metrash katrorë.
“Falënderimi ynë në radhë të parë vjen për të të gjithë pjesëmarrësit, pra ekspozuesit : botues ose institucione, në këtë veprimtari shumë të rëndësishme të kulturës shqiptare, dhe do të më lejoni ta quaj me shumë siguri: më të madhen dhe më të rëndësishmen në gjithë hapësirën shqipfolëse”, tha në fjalën përmbyllëse kryetari i shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri. “Asnjë veprimtari tjetër kulturore nuk arrin të mbledhë e të tërheqë me mijëra propozime leximi, pra kulturore pothuajse 100 mijë vizitorë që kemi parë këto 5 ditë në Pallatin e Kongreseve.
“Nuk mund të rri pa përmendur me shumë keqardhje përpjekjet primitive për dezinformim, vazhdoi ai. “Pa fjalë, që aleanca me median është një ndihmë e madhe për ne botuesit. Publiciteti, marketingu është shpesh vendimtar në përzgjedhjen që bën lexuesi, sic është e vërtetë edhe e kundërta. Për këtë arsye, e them sërish: duhet të ndryshojë mënyra e pasqyrimit të librit, të ndryshojë duke hequr dorë në radhë të parë nga ledhatimet e pamerituara, nga cilësime herë-herë të rrema, le të vlerësojmë vlerat dhe të përpiqemi të jemi më shumë profesionistë, të gjithë bashkë, duke filluar nga ne Botuesit e bashkëpunëtorët tanë të afërt, e deri tek ju gazetarët. Dhe kryesorja: motivi i parë le të jetë lexuesi, sidomos rinia: të afrojmë me librin lexuesin e ri, t’u shtojmë atyre dëshirën për të lexuar. Botuesit e këtij panairi treguan se janë të vendosur të punojnë për këto qëllime të larta dhe pa dyshim që kërkojnë në këtë punë mbështetjen e mjeteve
të specializuara, kritikës letrare, medias, televizionit etj. Më duket se pasqyrimi që ju kolegë gazetarë dhatë gjatë këtyre ditëve ishte një shembull profesionalizmi dhe korrektese nga shumë pikëpamje. Duhet të heqim dorë të gjithë nga pasqyrimet e tepruara bojë rozë, pa ngritur asnjë problem, pikëpyetje, pa bërë asnjë vërejtje, por vetëm lëvdata pa fund. I kemi thënë këto edhe më parë, por mendoj që duhet ta ndryshojmë thellësisht të gjithë këtë gjë, të ndryshojmë sepse realisht ka shumë probleme”, tha Ymeri. “Ka treg të zi të librit, po ende ka. Ka pirateri, ka parzmore OJQF-iste që mbulojnë veprimtaritë e biznesit, ka shumë gjëra që duhen ndryshuar në ligjin e librit, duke filluar me fotokopjimin dhe kopjet e detyruara të librit etj, e ne nuk po çajmë dot prej vitesh. Ka një nevojë shumë urgjente për të përmirësuar sistemin e librarive dhe këtu gjej rastin të falënderoj kryetarin e bashkisë së Tiranës, që premtoi publikisht në këtë sallë për heqjen e taksat lokale për të gjitha libraritë e reja dhe ftoj të gjitha bashkitë e qyteteve të tjera që ta ndjekin këtë shembull. Duhet ta themi: jemi një vend me shumë pak librari. Të inkurajojmë hapjen e librarive në emër të fuqizimit të leximit, në emër të së ardhmes së brezit të ri, që duhet të jetë më i lexuar, më i kulturuar. Kjo nuk është thjesht heqja e taksës së biznesit, por heqja e taksës së leximit”!
Kreu i shoqatës së Botuesve tha se duke filluar nga panairi i vitit të kaluar u fut edhe një praktikë e re në përcaktimin e dhënies së çmimeve. “Ia besuam një jurie profesioniste. Edhe këtë vit bëmë të njëjtën gjë dhe natyrisht kjo do vazhdojë gjithmonë, duke rritur besueshmërinë e operatorëve të sektorit”.
Panairi i Librit “Tirana 2012” në shifra
Gjatë pesë ditëve Panairi i Librit u vizitua nga më shumë se 100 mijë vizitorë, u bënë më shumë se 80 veprimtari librore, u shitën më shumë se 600 mijë libra. Vizitorët kryesisht ishin nga qyteti i Tiranës, por kishte edhe mijëra lexues, të organizuar ose shoqërisht e familjarisht të ardhur jo vetëm nga Durrësi, Shkodra e Korça, nga Prishtina e Tetova, nga Gjakova e Shkupi, por deri edhe nga Italia e Greqia. Kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri një falenderim të veçantë ka bërë për ambasadat dhe institucionet e huaja që janë në vendin tonë: Ambasada e SHBA, ambasadat e Spanjës e Zvicrës, Institutin Gëte në Tiranë etj. “Dua të dalloj Institutin Italian të Kulturës dhe Ambasadën e Francës për elegancën dhe performancën e shkëlqyer e seriozitetin që manifestuan në Panairin e Librit”, tha ai. “Dua padyshim të falënderoj Ministrinë e Kulturës dhe personalisht zotin Bumçi për mbështetjen, jo vetëm për këtë Panair por edhe disa veprimtari të tjera që kemi bërë gjatë këtij viti jubilar duke filluar me pjesëmarrjen shumë cilësore në Panairin e Librit në Leipzig, në panairet e Shkupit, të Prishtinës dhe të Frankfurtit. Dua të falënderoj Drejtorinë e Librit në Ministrinë e Kulturës zotin Ermir Nika me të cilin kemi
bashkëpunuar ngushtë, deri në lodhje, për këto veprimtari”.