E Shtunë, 31 Tetor 2026

100 vjet rrugë

Me monodramën e Justin Bucher “Heqja e shtatë maskave” në regjisurën e Agon Myftarit, e interpretuar nga Hazir Myftari, ditë më parë në kuadër të festivalit internacional të Pejës “Mono-Akt” ky aktor Prishtinës i solli çmimin e parë për aktorin më me peshë, për qasje inventive të fjalës së bukur dhe filozofisë aktoriale ndaj karakterit.

Mbase ka kohë që s’kam dal nga teatri i pushuar. Ishte shfaqje që mua më mbylli në vetvete. Natyra e shfaqjes në përgjithësi ishte shtruar brenda për brenda një harku dhe aty po manovrohej teza ideoartistike e dramës. E mira e saj në radhë të parë është se nuk të lodhë, e dëgjon sepse ngjall interes për ta dëgjuar, krijon marrëdhënie me audiencën natyrshëm mbase dhe e shndërron në tifoz atë.

Pra, regjisori e kishte gjetur çelësin e dramës së autorit. Në të njëjtën kohë, butësia e aktorit në kuptimin fizik e psikologjik në raport me natyrën e dramës, doli si gjetje tejet origjinale. Veprimi qe mendimi kësaj radhe. Fjala e qartë, vibrimet koloristike radhiten si gjetje përtej skenike. Ai lozë heshtur, me dashuri shekulli, e njomë mplakjen, siç po thoshte dhe vet regjisori, është një fëmijë plak, që tenton të qajë por nuk qan, e mban në vetvete dëshirën për të treguar vuajtjen por nuk e bënë sepse nuk dëshiron që të shkaktojë trazira tek njerëzit e shekullit.

Nga perspektiva ideore, aktori i dramës, gjegjësisht njeriu i kësaj bote në pleqëri do t’i kthehet fëmijërisë, të vërtetës, për faktin se heq maskat nga vetvetja. Ai do të paralajmërojë që në fillim se po vdes në natën e mileniumit të ri. Kur “big-beni” do të lëshojë fishekzjarrët në ndërrim motesh. Çdo lindje është fishekzjarr për njeriun, po kaq fishekzjarr del të jetë dhe ikja nga kjo botë. Ai pas 100 vitesh jetë, sikur bëri një hap të ri, u kthye në lindje tek nëna, për të lind një fillim shekull i ri.

Aktrimi i Hazir Myftarit doli të jetë këpucë e madhe për të tjerët, është numër që nuk i bie secilit. Këpucët e tij skenike, ishin gjetja më origjinale në raport me rrjedhën e dramës. Ai saktë e kap pentagramin dramaturgjik të autorit. Aq njerëzishëm komunikonte me personazhin dhe anasjelltas.

Në fakt kishte një shkrirje në këtë dimension, për faktin se ai flet njerëzishëm me objektet e tij, lozë informata të sakta, tregon përrallën e tij jetësore, vuajtjet e lindjes, dhembjet për nënën e tij qoftë edhe e zezë ajo si ngjyrë, që prodhon një kloun të bardhë, qoftë edhe me porosi nga një baba anglez dhe do të shëtitë shtet më shtet. Është pra, ideja e përzierjes së ngjyrave, gjegjësisht tendenca për të luftuar urrejtjen duke shkelur me këpucët e tij globin dhe për të lënë një gjurmë shprese mes popujsh.

Ai do ta sfidojë me fjalë të urta edhe gjarprin izraelit që rrugëton nëpër kohë e glob, pastaj, Luftën e Dytë Botërore, kështu do të vazhdojë gradualisht që t’i heqë shtatë maskat historike nga trupi dhe nga lëkura e tij, të cilat ia kishte veshur historia, të cilin vet njeriu e kishte bërë një lloj palaçoje, dhe do të mbërrijë në vitin 1999, aty do të mbyllet fundi i jetës së tij. Me këtë vit nga një kontekst ideofilozofik do të përmbyllen maskat historike.

Veprat e tij dhe ato historike do t’i mbyll në dy kuti. Dheu në kofera dëshmon më së miri për të vërtetën e kësaj bote. Bota njerëzore, respektivisht, e bardha doli të ishte pjellë e këtij njeriu të bardhë si farë e Anglisë, e shumëzuar nëpër kombe e kombësi në mbarë gjeografinë globale deri tek Spliti, tek fara ariane.

Ishte një dramë me përplot filozofi njerëzore. Shekujt i bëjnë vetëm ata njerëz që kanë zemër të bardhë. Kjo ishte ideja qendrore e kësaj drame jetësore. Këpucët e tij të bardha me të kuqe tregojnë, barrën, rëndesat, ecjet e tij shekullore, trupi i tij prej vigani e relakson idenë në të gjitha kuptimet. Edhe përmasat fizike të aktorit në fjalë në proporcion me kërkesat e personazhit ishin argument fitoreje.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›