100 vjetët e Vatrës

Në vitin 1912, në ndërtesën me numër 227, në rrugën Tremount, në Boston, ndodhej një kishë, në sallën e së cilës disa shoqata emigrantësh shqiptarë u bashkuan në një federatë. Kështu u themelua Vatra, organizata më e madhe e shqiptarëve të Amerikës.
Sipas Van Kristos, një veprimtar ky i komunitet shqiptar në Boston, falë përpjekjeve, dëshirës dhe vendosmërisë së madhe të Kristo Floqit, Kolë Tromarës e Kristo Kirkës, të cilët takoheshin aty, u mundësua themelimi i Vatrës dhe Diellit, por edhe krijimi i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, që u drejtua nga Fan Noli.
Agron Alibali, publicist nga Bostoni, është njëri prej nismëtarëve për vendosjen e pllakës përkujtimore në vendin ku dikur u themelua Vatra.
“Kjo pllakë do të jetë e para dhe e vetmja në SHBA për nder të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe kontributit që ka dhënë ky komunitet në forcimin e lidhjeve dhe të miqësisë mes SHBA dhe Shqipërisë”, pohon ai.
Sot, Bostoni nuk është më qendra e Vatrës, sepse zyra e organizatës para disa dekadave u zhvendos në New York, meqë atje jeton një numër i madh i shqiptarëve.
Kristo ndërkaq pohon se, për atë që bënë në Amerikë dhe në Boston, Fan Noli, Faik Konica dhe patriotët e tjerë shqiptarë meritojnë një respekt të vazhdueshëm të të gjithë shqiptarëve në SHBA, por edhe kudo tjetër në botë. Sipas tij, shqiptarët asokohe bënë shumë për krijimin e gazetës dhe një kishë së komunitetit, duke çuar kështu përpara shqiptarizmin.
Alibali mendon se kjo duhet të kujtohet dhe nderohet.
“Jam i sigurt se edhe shumë njerëz që do të vijnë për vizitë në Boston, në këtë vend do të gjejnë një pikë të domosdoshme për ta vizituar dhe për të nderuar këtë trashëgimi historike të rrallë e të çmuar”, thotë ai.
“Sipas asaj që thuhet në statutin e saj, Vatra është një organizatë ombrellë për shqiptarët e çdo besimi - të krishterë ortodoksë, katolikë ose myslimanë, dhe të çdo bindjeje politike, për aq kohë sa ata të mos i sjellin këto bindje brenda organizatës dhe të mos përpiqen t’i përhapin ato. Tradicionalisht, Vatra ka qenë dhe duhet të jetë gjithmonë jopolitike”, sqaron Kristo.
Noli përkujtohet në Durrës
Në katedralen e Aapostull Pavlit dhe të Shën Astit, në Durrës, të martën është mbajtur një tubim dhe meshë përkujtimore kushtuar jetës dhe veprës së imzot Fan Stelian Nolit, klerikut dhe veprimtarit të shquar shqiptar që vdiq më 13 mars të vitit 1965.
Mesha u drejtua nga Dhespot Nikolla, i cili pas saj vlerësoi veprën e Fan Nolit, jo vetëm si njërit prej themeluesve të Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, por edhe si atdhetar dhe shkrimtar.
Ndryshe, Fan S. Noli u lind më 6 janar të vitit 1882, në një familje me prejardhje nga Kolonja, por që ishte vendosur në Ibrik Tepe, një fshat ky shqiptar, afër Edirnes (në Turqi). Noli njihet si njëri prej themeluesve të Federatës Panshqiptare Vatra, në vitin 1912 dhe si mbështetës i Pavarësisë së Shqipërisë. Në Shqipëri erdhi për herë të parë në vitin 1913. Në vitet e 20’a të shekullit të kaluar Noli zhvilloi një veprimtari të vazhdueshme politike.
Në vitin 1921 botohet vepra e tij "Historia e Skënderbeut", ndërkohë që botoi edhe disa vëllime me poezi origjinale. U shqua edhe si përkthyes i shkëlqyeshëm nga gjuha angleze në shqip të një pjesë të madhe të veprës së William Shakespeare. Fan Noli vdiq më 13 mars të vitit 1965, dhe u varros në Boston.
Noli për Konicën
“Faiku ka pasur shumë kusure. E, kusuri i tij më i madh ishte që bënte shokë edhe miq lehtë. Po të nesërmen, që të gjithë ata shok i bënte armiq. S’ka gjë më të zorshme se të shkruash një libër për Faikun. Faiku e niste një vepër dhe e linte në gjysmë... e harronte, dhe s’e vazhdonte më. S’ka mbaruar asnjë nga librat që i ka nisur.
Kishte shumë plane, njëmijë plane, por të gjitha mbaronin me nja 2-3 fraza. Përse or s’i shkruan i thoshim ne? Mirë or t’i shkruajmë, por kush do i këndon?, thoshte ai. I thoshim: Aman ore shkruaj dhe i këndon ti, i këndoj edhe unë…
‘Albania’ nisi të botohej më 1897, por u mbyll më 1909 kur këtezaj ardhi Faiku. 12 vjet! Historia e rilindjes shqiptare në këto 12 vjet mund të gjendet vetëm në ‘Albanian’ e Faikut!”.
Për veten, Vatrën dhe Lidhjen e Kombeve
“Në Gjenevë, kur u pranua Shqipëria si pjesëtare e Lidhjes së Kombeve, më 17 të dhjetorit 1921, kryetari i dërgatës përsëri ishte një përfaqësonjës i Vatrës, besonj që e njihni (qesh; i referohet vetes).
Pastaj, ç’na ngjau në Gjenevë? Pasi mbaroi delegati juaj misionin e tij, mbeti amanet atje (qesh). Qeveria shqiptare s’kishte para. E vërtetë që s’kishte para, ose nuk e deshte që ai përfaqësonjësi të kthehej përsëri në Shqipëri, se nuk u durohej më… Përsëri, Vatra i pagoi të ardhurat e udhës që të shkoj s’andej”.