E Shtunë, 31 Tetor 2026

100-vjetori i Pavarësisë, Rama: Fotoja e Ismail Qemalit në çdo zyrë

TIRANE - Kreu i PS-së, Edi Rama ka propozuar që në 100-vjetorin e shtetit shqiptar në çdo zyrë të administratës shqiptare të vendoset fotografia e Ismail Qemalit dhe jo e Presidentit të Republikës.

“Do të kontribuojmë edhe për kremtimin e 100-vjetorit me një plan tonin që do ta bëjmë publik aq më tepër pasi të shohim sesa qesharake janë idetë e hedhura nga qeveria që të kujtojnë kohën e regjimit totalitar për nga butaforizmi propagandistik dhe për nga shija bajate e kulturës së vjetër komuniste”, - tha Rama, gjatë mbledhjes së grupit të PS-së, një ditë më parë .

“Si fillim do i propozoja qysh sot qeverisë që ta ndryshojë VKM-në që përcakton se fotografia e Presidentit të Republikës duhet të vendoset në çdo zyrë të lartë të shtetit dhe të administratës shtetërore, për t’i dhënë fund banalizimit të skajshëm që është bërë me këtë normë, të respektuar sipas qejfit apo sipas konjukturave politike, me fotografinë e Presidentit të radhës. Dhe për të vendosur njëherë e mirë dhe përgjithmonë, në vend të portretit të radhës, portretin e themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemalit”, - propozoi ai.

Me këtë propozim të Ramës është shprehur dakord edhe një prej deputetëve kundërshtarë të tij, Andis Harasani. Në një koment në Faceboook, nga SHBA, Harasani shkruan se: “Shumë i gjetur propozimi i Ramës që në çdo zyrë të shtetit shqiptar të vihet foto e Ismail Qemalit”.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›