100 vjetori i Pavarësisë, Sekretarja amerikane, Hillary Clinton vizitë në Shqipëri

Vizita në rajonin e ballkanit të sekretares amerikane nga data 29 tetor deri më 2 nëntor
Shqipëria do të jetë pjesë e turit të Sekretares Amerikane të Shtetit, Hillari Klinton në Shqipëri. Pak muaj më parë në Uashington kryeministri Berisha i bëri ftesë Sekretares Amerikane të vizitojë Shqipërinë me rastin e kremtimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë. Pas takimit të atëhershëm, zyra e Kryeministrit konfirmoi se ftesës së ripërsëritur gjatë bisedës, Hilari Klinton i është përgjigjur pozitivisht dhe i ka premtuar Kryeministrit Berisha se do të jetë në Shqipëri. Ndërkohë në një komunikatë për opinion të Departamentit amerikan të Shtetit, thuhet se sekretarja Klinton do të udhëtojë në Ballkan për të dëshmuar edhe një herë interesimin, përkushtimin dhe përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë rajon dhe të ardhmen e tij në integrimet evropiane dhe euro-atlantike. Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, do të udhëtojë nga data 29 tetor deri më 2 nëntor për në Algjeri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi, Kosovë, Shqipëri dhe Kroaci. Në Bosnjë, Serbi dhe në Kosovë, ajo do të shoqërohet nga shefja e politikës së jashtme te Bashkimit Evropian Catherine Ashton. Në Tiranë, Sekretarja Klinton do të theksojë solidaritetin me Shqipërinë, aleate e NATO-s dhe do të marrë pjesë në kremtimet e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë me një fjalim në Parlament. Ajo po ashtu do të vërë theksin tek nevoja e bashkëpunimit më të fuqishëm politik dhe vendosjen e sundimit të ligjit, thuhet mes të tjerash në komunikatën e Departamentit amerikan të Shtetit. Në Prishtinë dhe Beograd, teme e diskutimeve do te jene çështje të bashkëpunimit dypalësh si dhe qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, se Serbia dhe Kosova duhet të respektojnë marrëveshjet e arritura dhe të avancojnë në dialogun e tyre, si dhe do t’i inkurajojnë palët në hedhjen e hapave konkret, që do tu mundësojnë të dyja vendeve të përparojnë në rrugët e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
...