11 maji, Klosi: Po gjejmë formulat fituese në çdo qark, në listën e mbrojtur figura përfaqësuese

TIRANË, 23 janar/ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosiu shpreh sot se PS do të përgatitet fort për të marrë mandatin e katërt.
I ftuar në një studio televizive, Klosi tha se nuk ka rëndësi sistemi por sa vota të japin qytetarët.
Sipas tij, përcaktimi i kandidatëve që do të jenë në lista të hapura apo të mbyllura, do të përcaktohet edhe në varësi të qarkut ku do të garohet.
“Formula jonë është që ne do përgatitemi fort që të marrim mandatin e katërt, dhe për t’ia dalë kësaj do të kemi një listë me 140, plus 46. Rëndësi ka sa vota të japin qytetarët dhe jo sistemi. Sepse partitë mbledhin votat e tyre dhe pastaj ndahen mandatet ndërmjet dy kampeve. Si ndahen brenda strukturës i takon forcave politike, por natyrisht edhe qytetarëve”, tha ai.
Klosi theksoi se në varësi të numrit të mandateve PS po përgatitet që të ketë listë fituese dhe të marrë më tepër vota se në vitin 2021.
Klosi tha se PS do të vazhdojë të gjejë se cila do të jetë formula fituese në qarqe të caktuara.
“E mira do të jetë që ata që krijojnë kohezion qytetar, kanë vota personale janë njerëz që janë të terrenit, padyshim të jenë në terren. Të jenë njerëz që kërkojnë të mbledhin sa më shumë vota. Dhe në listën e mbrojtur të ketë figura përfaqësuese të partisë, të programit, të komuniteteve”, tha Klosi.
/m.m/j.p/