RIAD – Princi i kurorës i premton Trumpit 600 miliardë dollarë investime në SHBA

RIAD, 23 janar /ATSH-AFP/- Princi i kurorës saudite, Mohammed bin Salman premtoi sot se do të zgjerojë investimet amerikane në 600 miliardë dollarë, ndërsa uroi Donald Trump për kthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë.
“Princi Mohammed, udhëheqësi de fakto i vendit eksportues më të madh të naftës në botë, e bëri këtë premtim gjatë një telefonate pas ceremonisë së betimit të Trump si president i SHBA-së”, thanë media shtetërore saudite.
Trump krijoi marrëdhënie të ngushta me Riadin në mandatin e tij të parë dhe tani pritet ta nxisë Arabinë Saudite, shtëpinë e vendeve më të shenjta të Islamit, drejt normalizimit të lidhjeve me Izraelin si një objektiv kryesor i politikës së jashtme.
“Princi i kurorës pohoi synimin e mbretërisë për të zgjeruar investimet dhe tregtinë me SHBA-në gjatë katër viteve të ardhshme, në shumën prej 600 miliardë dollarësh, dhe potencialisht përtej kësaj”, raportoi Agjencia Saudite e Shtypit.
Shtëpia e Bardhë tha se kjo ishte telefonata e parë e Trump me një udhëheqës të huaj që nga kthimi i tij në detyrë.
“Të dy liderët diskutuan përpjekjet për të sjellë stabilitet në Lindjen e Mesme, për të forcuar sigurinë rajonale dhe për të luftuar terrorizmin”, thuhet në një deklaratë.
“Për më tepër, ata diskutuan ambiciet ekonomike ndërkombëtare të Mbretërisë së Arabisë Saudite gjatë katër viteve të ardhshme, si dhe tregtinë dhe mundësitë e tjera për të rritur prosperitetin e ndërsjellë të dy vendeve”, sipas deklaratës. //a.i/