11 ministra me vila dhe apartamente në bregdet
Ministri i ri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, deklaron se ka në pronësi një apartament në zonën e Pirut në Athinë, vend ky i njohur për bregdetin e bukur dhe një nga portet kryesore të Greqisë.
Komuna Qerret e Kavajës dhe Gjiri i Lalëzit në Durrës, zonat e zgjedhura të ekzekutivit shqiptar
Fatjona Mejdini
Të pasurit një vilë apo apartament pushimi në bregdet duket se është bërë një normë për ministrat dhe politikanët shqiptarë. Në një vëzhgim që gazeta Shqip bëri për sa u përket shtëpive të pushimit të drejtuesve të ekzekutivit shqiptar, rezulton se 11 nga 15 ministra të kabinetit aktual qeveritar disponojnë vila dhe apartamente në bregdetin shqiptar. Ministrat i kanë deklaruar këto pasuri të paluajtshme në vite të ndryshme pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe duket se ato u shërbejnë jo vetëm për pushime të gjata, por edhe për të kaluar fundjavat larg punës dhe jetës së zhurmshme të kryeqytetit. Për këtë arsye, bie në sy fakti se plazhet e Durrësit dhe të Kavajës janë zgjedhur në mënyrë masive nga ministrat për të pasur shtëpinë e plazhit. Afërsia e kësaj zone me Tiranën, duket se u jep ministrave komoditetin e të qenët në zyrë në rastet kur kërkohet prania e tyre me emergjencë.
Zonat
Bregdeti i Kavajës është i përzgjedhuri kryesor i ministrave shqiptarë për të pasur shtëpitë e tyre të plazhit. Kështu, në plazhet e Komunës Qerret kryesisht kalojnë fundjavat apo pushimet e verës ministrat shqiptarë. Në këtë zonë, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, disponon një apartament me sipërfaqe 66 m2 të blerë me një vlerë prej 30 mijë eurosh, të cilën e ka deklaruar në vitin 2004. Po kështu, ministri i ri i Jashtëm, Edmond Panariti, në një nga komunat bregdetare të Kavajës ka deklaruar se disponon dy apartamente, të cilat i ka blerë në vitet 2002 dhe 2010. Listës së ministrave që zgjedhin bregdetin e Kavajës për pushime i është shtuar së fundmi edhe ministri i Inovacionit dhe Teknologjisë, Genc Pollo, duke blerë në vitin 2010 një vilë në Qerret me sipërfaqe 130 m2 me një vlerë prej 70 mijë eurosh. Golemi, një tjetër komunë e njohur e Kavajës, është zgjedhur për të ndërtuar një vilë nga ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu. Po kështu, edhe ministri i Kulturës, Aldo Bumçi, deklaron se disponon një apartament në Golem, me një sipërfaqe prej 58 m2 dhe me një vlerë prej 1.6 milionë lekësh të blerë në vitin 2004. Një tjetër zonë e preferuar së fundmi për të pasur shtëpinë e plazhit është edhe Gjiri i Lalëzit në Durrës. Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, deklaron se në vitin 2004 ka blerë një vilë në këtë zonë me sipërfaqe 90 m2 me një vlerë prej 6 milionë lekësh. Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, gjithashtu thekson se në vitin 2009 ka blerë një vilë në Lalëz me sipërfaqe prej 79 m2 me një vlerë prej 35 mijë eurosh. Nga ana tjetër, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka zgjedhur Lezhën për të blerë shtëpinë e plazhit. Në vitin 2010, bashkëshorti i saj ka deklaruar se disponojnë një shtëpi druri në Ishull Lezhë me sipërfaqe 50 m2 me një vlerë prej 2.5 milionë lekësh.
Fshati
Ministri i Financave, Ritvan Bode, ka zgjedhur ta ndërtojë shtëpinë e tij të pushimit në një fshat të Korçës, në një truall të përfituar nga procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave. Por ai ka deklaruar se familjarisht në këtë truall është investuar 5 milionë lekë për ndërtimin e një shtëpie.
Ministrat:
Myqerem Tafaj- Vilë te Gjiri i Lalëzit, 79 m2, 35 mijë euro, viti 2009
Fatmir Mediu- Vilë në Golem, Kavajë, blerë me kredi shtetërore, viti 2003
Genc Ruli - Vilë në Qerret, Kavajë, 90 m2, 6 milionë lekë, viti 2004
Arben Imami - Apartament në Qerret, Kavajë, 66 m2, 30 mijë euro, viti 2004
Edmond Panariti - 2 apartamente në Kryemëdhenjë, Kavajë 58 m2, 1.9 milionë lekë, viti 2002. 50 m2, 35 mijë euro, viti 2010
Vangjel Tavo- Apartament në Pire, Athinë, dhuruar nga vëllai
Eduard Halimi - Apartament në Durrës, 68 m2, 48 mijë euro, viti 2006
Genc Pollo - Vilë në Qerret, Kavajë, 130 m2, 70 mijë euro, viti 2010
Majlinda Bregu - Shtëpi druri në Ishull Lezhë, 50 m2, 2.5 milionë lekë, viti 2010
Ritvan Bode - Shtëpi familjare e kthyer nga kompensimi në Rakickë të Korçës. 5 milionë lekë vlera e rikonstruksionit
Genc Ruli - Vilë në Qerret, Kavajë, 90 m2, 6 milionë lekë, viti 2004
Aldo Bumçi - Apartament në Golem, Kavajë, 58 m2, 1.6 milionë lekë, viti 2004
Vilë në Gjirin e Lalëzit, trendi i krijuar nga Argita Berisha dhe Ilir Meta
I ftuar së fundmi në këtë vilë ishte edhe kreu i opozitës, Edi Rama, në kuadër të rinisjes së komunikimit të tij me kreun e LSI-së, Ilir Meta.
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaron se disponon një vilë me sipërfaqe 317 m2 në Gjirin e Lalëzit. Ky deklarim është bërë në vitin 2010 në deklaratën e pasurisë së bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi. Burimet bëjnë të ditur se familja Meta shpenzon një kohë të madhe në këtë vilë, sipërfaqja e konsiderueshme e së cilës i lejon të ftojnë edhe miq. I ftuar së fundmi në këtë vilë ishte edhe kreu i opozitës, Edi Rama, në kuadër të rinisjes së komunikimit të tij me kreun e LSI-së, Ilir Meta. Ky takim Meta-Rama në këtë vilë pati një jehonë të madhe në media, pasi fillimisht u mbajt i fshehtë dhe më pas u hamendësua se bazuar mbi këtë takim mes dy ish-bashkëpunëtorëve do të lidhej një aleancë e re. Por ngjarjet që pasuan treguan se takimi i Metës dhe Ramës në Gjirin e Lalëzit ishte i përqendruar vetëm në diskutimet për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Argita Berisha ka profesionin e juristes dhe në deklaratat e saj të përvitshme të pasurisë deklaron të ardhura të konsiderueshme të përfituara si rezultat i drejtimit të një studioje ligjore.
Gjiri i Lalëzit është vend i pushimit edhe për vajzën e kryeministrit Berisha, Argita Berisha dhe familjen e saj. Në vitin 2006, ajo ka deklaruar se ka në pronësi një vilë me sipërfaqe 166 m2 në këtë zonë, e cila i ka kushtuar 56 mijë euro. Argita Berisha ka profesionin e juristes dhe në deklaratën e saj të përvitshme të pasurisë deklaron të ardhura të konsiderueshme të përfituara si rezultat i drejtimit të një studioje ligjore. Po kështu shumë të konsiderueshme të ardhurash deklaron edhe i biri i Kryeministrit, Shkëlzen Berisha, i cili po ashtu është një jurist në profesion. Të ardhurat e larta të tyre kanë bërë që të dy fëmijët e Kryeministrit Berisha të jenë në qendër të akuzave për korrupsion dhe përdorim të influencës së Kryeministrit të vendit. Rasti më i fundit ishte procesi gjyqësor i Argita dhe Shkëlzen Berishës kundër deputetit socialist Sajmir Tahiri.
Ilir Meta - Vilë te Gjiri i Lalëzit, Durrës, 317 m2, përfituar nëpërmjet këmbimit të truallit, viti 2010
Argita Berisha - Vilë te Gjiri i Lalëzit, 166 m2, 56 mijë euro, viti 2006
11 ministra me vila dhe apartamente në bregdet burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip