E Enjte, 5 Nëntor 2026

11 parti politike regjistrohen për zgjedhjet e pjesshme në Himarë

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ 11 parti politike do të marrin pjesë në zgjedhjet e pjesshme në Himarë më 4 gusht.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka regjistruar sot partitë politike që do të marrin pjesë në këto zgjedhje.

Mes partive të regjistruara është edhe Partia Demokratike, nën drejtimin e Sali Berishës pas vendimit të Gjykatës së Apelit.

“Dokumentacioni i paraqitur nga të gjitha partitë është i rregullt për të marrë pjesë në zgjedhjet e Himarës, miratojmë regjistrimin e tyre. Miratojmë regjistrimin  e Partisë Demokratike (PD) me drejtues Komitetin Nismëtar të përfaqësuar nga Sali Berisha”, tha Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.

Në zgjedhjet e pjesshme në Himarë në garë janë dy kandidatë Vangjel Tavo i PS dhe Petro Gjikuria i koalicionit opozitar.

24 korriku është edhe afati i fundit i regjistrimi të koalicioneve në zgjedhjet e Himarës, ndërsa më 27 korrik do të nis dhe fushata elektorale e dy kandidatëve, të cilët do të kenë në dispozicion vetëm 1 javë kohë.

Zgjedhjet e pjesshme në Himarë mbahen pasi KQZ shpalli të pavlefshëm mandatin e Fredi Belerit, i cili u dënua me dy vite burg për blerje votash. Ai u arrestua pak para zgjedhjeve, ndërsa nga ajo kohë Himara është drejtuar nga disa kryetarë të komanduar.

Në përfundim të shqyrtimit, Komisioneri vendosi të regjistrojë si subjekte zgjedhore:

Partia Socialiste e Shqipërisë (PS);
Partia Republikane (PR);
Partia Demokristiane (PDK);
Fryma Re Demokratike (FRD);
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ);
Partia e Lirisë (PL);
Partia Balli Kombëtar (PBK);
Partia Demokratike (PD);
Partia Agrare Ambjentaliste (PAA);
Partia Balli Kombëtar Demokrat (PBKD);
Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar (PBD).

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›