E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

110 vjet Gjykata e Lartë/ BE: S’ka anëtarësim pa reformë të suksesshme në drejtësi. SHBA: Kujdes kundërshtarët e saj

Gjykata e Larte feston 110 vjetorin e saj me një Konference Ndërkombëtare ku morën pjesë personalitete dhe ambasadorët e akredituar në Shqipëri, të cilët vunë theksin tek reforma në drejtësi, ndëshkimin e të pandëshkueshmëve dhe drejtësi të pavarur larg ndikimeve të politikës.

 “Mesazhi është i qartë. Nuk ka anëtarësim në BE pa reformë të suksesshme në sistemin e drejtësisë” E nisi fjalën e saj përshëndetëse ambasadorja e BE-së në Christiane Hohmann.

Dhe drejtësia tani ndodhet në pikë kritike e këtij rrugëtimi sepse institucionet kyçe të saj janë krijuar ose rikrijuar.

“Reforma po zë rrënjë por duhet të zërë rrënjë të thella. Duhet të tregojë se është e fortë për tju bërë ballë apo rezistuar çfarëdolloj influencave të paduhura, të papërshtatshme. Për këtë kërkohet transparencë, integritet i lartë dhe cilësi më të mirë të drejtësisë,” tha ambasadorja Hohmann.

Edhe SHBA kërkon me ngulm zbatimin e një reforme të sukseshme në drejtësi. 

“Ju mund të ndryshoni ambasadorë por nuk ka për të ndryshuar mbështetja e SHBA-së për reformën në drejtësi. Ju duhet të kuptoni që kur SHBA insiston që Shqipëria të bëhet më mirë e bën si mik i sinqertë. E bëjmë sepse e dimë se ka gjëra të mëdha”  tha ambasadorja Yuri Kim.

Kujdes kundërshtarët

Ambasadorja kërkoi gjithashtu të bëhet kujdes me kundërshtarët e kësaj reforme.

“Kundërshtarët e reformës në drejtësi duan që ajo të dështojë, sepse po e shohin se ajo po funksionon. Ata duan që të vazhdonin të fshihnin veprimet e tyre korruptive dhe të vazhdojnë të bzohen në pandëshkueshmëri,” tha Kim.

Vetingu 

E ndërsa vetingu është drejt përfundimit, dy këshillat, ai i KLGj dhe i KLP-së duhet të ruajnë frymën e saj.

Gjyqtarët dhe prokurorët kanë hedhur sytë drejt këtyre dy këshillave që ata të ruajnë standardet e vetingut duke siguruar pavarësi llogaridhënie dhe funksionimin e duhur të pushtetit gjyqësor e funksionimin e drejtësisë. Anëtarët e këshillave pritet të veprojnë me aspekte shumë të qarta që kanë të bëjnë me punën e tyre, sepse mbajnë në duart e tyre jo vetëm të ardhmen e drejtësisë por të ardhmen e anëtërësisë së Shqipërisë në BE” tha ambasadorja e BE-së.

Drejtësia e vonuar, drejtësi e mohuar

Drejtësia cilësore mbetet një sfidë.  Mbingarkesa dhe dosjet e mbartura mbeten një nga problematikat me të cilat po përballen gjykatat, edhe Gjykata e Lartë.

 Kryetari i kësaj gjykate, Sokol Sadushi pranoi se në periudhën aktuale, drejtësia shqiptare përballet me sfida me vështirësi, të vjetra, të trashëguara ndër vite, por edhe të reja e të panjohura.

“Numri në rritje i çështjeve gjyqësore kundrejt numrit të ulët të gjyqtarëve, vonesat në gjykim, mosekzekutimi i vendimeve të formës së prerë, praktikat e ndryshme për çështje të ngjashme, niveli profesional, etik dhe moral i magjistratëve, por edhe pandëshkueshmëria kërkojnë zgjidhje tërësore dhe strategjike. Të gjitha këto sfida, të vjetra a të reja kanë të përbashkët nevojën për t’i përballuar me masa të përshtatshme dhe efektive, që janë vendimtare për suksesin ose dështimin” tha Sadushi.

Rritja e besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë mbetet një tjetër sfidë.

“Një drejtësi me cilësi më të mirë nis me trajtimin e çështjeve të mbartura dhe përfundon me vendime më të mira, dhe bërja publike e këtyre vendimeve. Dhe gjykata e Lartë luan një rol qëndror’ tha ambasadorja e BE-së.

“Gjyqësori e përmbush misionin e tij në mënyrë efektive vetëm kur publiku krijon besim se, gjykatat, edhe kur gabojnë, veprojnë krejtësisht të pavarur. Kjo do të thotë besim në një gjyqësor të pavarur, të ndershëm dhe të paanshëm, besim në standardet etike të gjyqtarit, besim se gjyqtari nuk shpreh pikëpamjet e veta personale, se nuk është palë e interesuar në proces dhe se nuk është duke luftuar për pushtetin e tij, por për të mbrojtur demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Historia na ka mësuar se një gjyqësor i pavarur e bën qeverisjen më të mirë, më të përgjegjshme” tha Sadushi.

Harta gjyqësore

Nga ana e tij presidenti Bajram Begaj vuri theksin tek harta e re gjyqësore.

“Si president e si qytetar kërkoj të garantohet aksesi në drejtësi, nëpërmjet implementimit korrekt të hartës gjyqësore’ tha presidenti Begaj në fjalën e tij duke vënë në dukje dhe kontributin e pazëvendësueshëm të kësaj gjykate.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Olta Zaçaj tha se përpara ligjit të gjithë duhet të jenë të barabartë.

“Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, as gjyqtar, as prokuror, as qeveritar. Një sistem i drejtë gjyqësor është shenjë dalluese e qytetërimit“

Integrimi në BE është projekt serioz që kërkon angazhim dhe një gjyqësor të pavarur, dhe për këtë ambasadorët garantuan se SHBA dhe BE do të vijojë të jenë në krah.   

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›