E Diel, 1 Nëntor 2026

113-vjetori i Forcave të Armatosura, Presidenti Begaj: Ju na bëni krenarë me shërbimin ndaj atdheut

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përcolli sot një mesazh drejtuar Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë me rastin e 113-vjetorit të themelimit.

Presidenti Begaj, njëherësh dhe Komandat i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, vlerësoi angazhimin, përkushtimin dhe profesionalizmin e efektivëve të FARSH, si dhe suksesin e arritur  në shërbim të Shqipërisë dhe në të gjitha misionet e operacionet ndërkombëtare ku ata shërbejnë.

Kreu i Shtetit shprehu, gjithashtu, vlerësim për të gjitha vajzat, djemtë, gratë dhe burrat e FARSH për misionin fisnik të shërbimit ndaj atdheut.

Mesazhi i Plotë i Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, për 113-vjetorin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë:

“Sot, në ditën e themelimit të Forcave të Armatosura, nderojmë me respekt kontributin, sakrificat dhe shërbimin e vyer të të gjithë efektivëve të FARSH që me atdhedashuri, besnikëri dhe disiplinë i kanë shërbyer atdheut në këto 113 vite.

Forcat e Armatosura, me angazhimin, përkushtimin dhe profesionalizimin e tyre, kanë arritur me sukses të jenë në lartësinë e detyrës për sigurimin e pavarësisë dhe mbrojtjes së vendit.

Pjesëmarrja në misione dhe operacione të NATO-s, BE-së dhe OKB-së na bën krenarë dhe kontribuues me vlera në sigurinë kolektive.

Mirënjohje për çdo efektiv, vajza dhe djem, gra dhe burra të Forcave të Armatosura për shërbimin që i bëjnë atdheut!

Gëzuar 113-vjetorin FARSH!”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›