113-vjetori i Pavarësisë, atmosfera kuqezi mbush të gjitha pikat kufitare të Shqipërisë

Në çdo qytet të vendit dhe në të gjitha pikat kufitare është ndjerë gjallëria e 113-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.
Sheshet e Shqipërisë sot janë gjallëruar me flamuj kuqezi, këngë e valle popullore, duke krijuar një atmosferë të mbushur me krenari kombëtare.
Nga veriu në jug, kufijtë e vendit janë shndërruar në skena të kulturës shqiptare, ku grupet artistike kanë sjellë muzikë e valle, ndërsa qytetarë dhe kalimtarë janë bashkuar në festë.
Pamjet e kësaj atmosfere janë ndarë edhe nga Kryeministri Edi Rama, i cili ka theksuar se pikat doganore, nga Morina deri në Kakavijë, u kthyen sot në hapësira të gëzimit dhe energjisë kuqezi.
Bashkia Devoll ka dhuruar flamuj kombëtarë për çdo kalimtar, si një mesazh simbolik i unitetit dhe dashurisë për atdheun.
Edhe në Kakavijë, udhëtarët janë pritur me tingujt e këngës polifonike gjirokastrite dhe performancën e ansamblit të Dropullit, duke e kthyer kufirin në një skenë të gjallë të traditës shqiptare.
Në Doganën e Qafë Thanës, grupi i valleve të Pogradecit ka organizuar një pritje të ngrohtë e tradicionale.
Djem e vajza të veshur me kostume popullore kanë kërcyer e kënduar për udhëtarët që hynin në Shqipëri, duke dhuruar emocione të forta patriotike.
Kjo ditë e shënuar ka treguar edhe një herë se Pavarësia e Shqipërisë nuk është thjesht një kujtesë historike, por një festë e gjallë që mbush zemrat e shqiptarëve me krenari dhe energji, kudo që ndodhen.
/rtsh.al/