E Shtunë, 31 Tetor 2026

12 vjet në dy minuta

Filmi i animuar i artistit dhe aktivistit rus, Egor Zogun, është punuar në stilin e filmit të animuar amerikan për Familjen Simpson. Filmi portretizon në mënyrë të efektshme 12 vitet e Putinit në pushtet në Rusi, dhe parashikon fundin e tij, si një faraon i mumifikuar të cilin në jetë dhe në pushtet e mban vetëm infuzioni.

Videoja e emërtuar “12 Vjetët e Putinit në Dy Minuta” është një përkujtim i hidhur i viteve traumatike në Rusi nën pushtetin e Putinit, i cili, nga ana tjetër, shfaqet si i mumifikuari Montgomery Burns, përderisa përreth tij vazhdimisht ndërrojnë ngjarjet që e karakterizuan periudhën 12-vjeçare të sundimit të tij.

Kjo nuk është hera e parë që Zogun e përqeshë Putinin. Vepra tjetër e tij “Gjyshi me Kondom Tatuazh”, që u inspirua nga filmi tejet i suksesshëm “Vajza me Tatuazhin e Dragoit”, e futi atë në mesin e veprave më të mira kundër regjimit, të quajtur “Arti i Ri Virtual Disident Rus”.

Videoja e fundit e Zogun u inspirua nga punimi me emrin “Everyday”, i fotografit njujorkez, Noah Calina, i cili për gjashtë vjet për çdo ditë fotografoi fytyrën e vetë, dhe nga seriali i animuar ‘The Simpsons”.

Muzika apokaliptike e Karli Komando’s, e cila dëgjohet në prapavijë, po ashtu është huazuar nga vdeio-punimi i Calina’s.

Sipas Radios Evropa e Lirë, videoja e Zogun paraqet një shok të animuar, ngase është përplot me xhirime që janë sa të tmerrshme aq edhe zbavitëse.

Ky filmi i shkurtër arrin që në mënyrë të efektshme të tregojë rrugëtimin politik të Vladimir Putinit, nga një politikan totalisht i panjohur që arrin të futet brenda zyrave të Kremlinit, e deri te status i carit rus që e gëzon sot.

Natyrisht, tërë kjo periudhë mbulohet me të gjitha ngjarjet më të rëndësishme që e shënuan sundimin e tij autokratik.

Mes tjerash, në filmin e animuar mund të shihet edhe ajo se si Boris Jeltzin e futë n kabinetin e tij spiunin e ri të KGB’së, i cili pastaj nëpërmjet një ‘excellent’ poze z. Burns gradualisht e transformon në carin rus, me kurorë në kokë, përderisa nga plafoni mbi kokën e tij qëndron i varur një bidon me naftë. Po ashtu, në film shfaqen edhe raportet e televizionit NTV për avarinë e nëndetëses Khursk, pjesëmarrja e Putinit në emisionin “Larry King Live”, por edhe sulmi ndaj televizionit NTV nga ana e Kremlinit, për shkak të raportimit të bërë për krizën e pengjeve në teatrin moskovit Nord Ost.

Në një pjesë të filmit si promotor i ideve socialiste dhe liberale shfaqet edhe Mihail Khodorkovsky, përderisa Putin i kundërpërgjigjet me fletarrestim dhe me burgosje të rusit më të pasur të asaj kohe. Tutje, në film përshkruhet edhe nënshkrimi fatal i Putinit i vënën mbi planin për shpëtimin e fëmijëve në shkollën në Beslan, të cilët pastaj shfaqen si Kenny – personazhi nga seriali i animuar “South Park”, që vdes dhe çohet vazhdimisht.

Mes tjerash, tregohet edhe ajo se si Putin e kultivon Dmitry Medvedev’in që nga fëmijëria, dhe se si vetëm për një moment ia liron postin e carit, të cilin ai e shfrytëzon që të luaj me iPad, përderisa babai i tij politik vazhdon me tërheqjen e të gjitha lëvizjeve.

Në fund të filmit, Putin sërish shfaqet si car me kurorë në kokë, përderisa të gjitha reformat që i realizoi paraardhësi tij përfundojnë në Recycle bin (shportë bërlloku). Krejt në fund, zhduket edhe bidoni me naftë, muret dhe tavolina mbesin të zbrazët, mbetet vetëm një portret i Putinit sa ishte i ri. Putin adopton stilin e sundimit të Gaddafi’t, dhe pastaj shndërrohet në një faraon të mumifikuar, të cilin në jetë dhe në pushtet e mban vetëm infuzioni.

Filmi i animuar “12 Vjetët e Putinit në Dy Minuta” mund të shikohet këtu: http://www.youtube.com/watch?v=JzGo4c6U8os&feature=player_embedded

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›