’13 veprat penale të Veliajt, peshë e rëndë politike’, Gjikondi: Mendon se mund të riciklohet politikisht

Prej muajit shkurt, Veliaj ndodhet pas hekurave ndërkohë që mban pas vetes me shumë ‘sakrificë’ edhe postin e kryetarit të Bashkisë, një post më tepër formal në një qytet kaotik që më shumë se kurrë ka nevojë për drejtim.
Juristja Brizida Gjikondi tha për ‘Real Story’ se dosja e Veliajt është bërë publike dhe se askush nuk flet për 13 veprat e tij penale. Më tej, Gjikondi shtoi se të tillë persona janë ‘të sëmurë’ pas kolltukut dhe vuajnë nga deliri i madhështisë.
“Dosja e tij është bërë publike dhe nuk flitet askund për 13 veprat penale, është një peshë e rëndë politike. Ai hedh gurin në lumë dhe të gjithë ndjekin gurin. Që nga momenti që ka këto akuza të rënda, moralisht ka rënë.
Ai mendon që mund të riciklohet politikisht. Janë të sëmurë pas kolltukut, e kanë të rëndësishme. Askush nuk është i pazëvendësueshëm. Me delirin e tij të madhështisë janë aty ku janë.”
Gazetari Flogert Muça tha se duhet një vendim i formës së prerë që të fusësh dikë në burg.
“Të trajtosh kryetarin e bashkisë si një njeri normal nuk e kriminalizon atë që e bën. Po ta këshilloja Veliajn, do i thoja të bënte atë që bëri Sajmir Tahiri. Është rast ndryshe, Veliaj e bën për fatin e tij politik dhe juridik.
Duhet një vendim i formës së prerë që ta fusësh në burg. Ku dallon ai nga Sali Berisha. Janë njëlloj para ligjit. “ / abcnews.al /