14 maji/ Berisha nga Pogradeci: Kandidatët e PS-së i zgjedhin klanet kriminale

Kreu i grupit të Rithemelimit, Sali Berisha ka deklaruar se kandidatët e Partisë Socialiste zgjidhen nga klanet kriminale. Gjatë prezantimit të kandidatit të Partisë Demokratike, për Bashkinë e Pogradecit në zgjedhjet e 14 majit, Zini Tollozhina, Berisha tha se për kandidatët e majtë ndiqet procedura e gjobave, nënshtrimit dhe valixheve me euro që paguhen për të kandiduar.
“Asnjëri nuk ka dëgjuar një fjalë të vetme se çfarë procedure ndjek partia tjetër e krim-ministrit për emërimin e kandidatëve të saj. Ndjek procedurën e gjobave, e nënshtrimit, e propozimit të klaneve kriminale, e valixheve me euro që paguhen për të kandiduar”, u shpreh Berisha.
Sipas Berishës, kandidatët e djathtë që garojnë për bashkitë e vendit janë krejt të lirë përballë kanidatëve socialistë.
“Në vjeshtën e vitit 2021 në Pogradec, në Korçë, në mbarë Shqipërinë kishte një kërkesë legjitime: të caktojmë ne vetë kandidatët, dhe kjo ishte një kërkesë e drejtë e cila u mor krejtësisht parasysh. Me votën tuaj dhe të simpatizantëve tanë, sot garojnë në 61 bashki të vendit kandidatët e lirisë karshi kandidatëve të bodrumeve, shpellave dhe dosjeve të fshehta”, theksoi Berisha.
/rtsh.al/