E Shtunë, 31 Tetor 2026

14 vjet nga bombardimet e NATO-s

Sot shënohet 14 vjetori i ndërhyrjes së forcave të NATO-s, mbi caqet ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe 15 vjetori i fillimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rrafshin e Dukagjinit, e njohur ndryshe “Epopeja e Dukagjinit”.
14 vjet më parë, më 24 mars 1999, NATO-ja filloi fushatën e bombardimeve kundër forcave serbe, e cila i dha fund luftës gati dyvjeçare në Kosovë.

Fushata e bombardimeve nga ajri që zgjati 78 ditë, në tokë u shfrytëzua nga forcat serbe për sulme hakmarrëse kundër shqiptarëve.

Fushata 78 ditore e NATO-s arriti rezultate të shumta politike, diplomatike dhe ushtarake. Ajo rezultoi me ndërprerjen e katastrofës humanitare dhe kapitulimin e forcave të Millosheviqit, nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës, miratimin e Rezolutës 1244 të KS të OKB, tërheqjen e trupave serbe nga Kosova dhe futjen e trupave të KFOR-it.

24 marsi i vitit 1999 shënon një fillim te ri të historisë së Kosovës, që i hapi rrugën çlirimit dhe pavarësimit të saj.

Kosova, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, më mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) ndërtoi institucionet e saj, të cilat më 17 shkurt të vitit 2008, shpallën pavarësinë e Kosovës. Këtë vit më 17 shkurt, Kosova ka shënuar 5-vjetorin e shpalljes së pavarësisë dhe është njohur nga 99 shtete të botës./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›